Tiranë, 5 maj, NOA - Ish-kryeministri i qeverisë demokratike në periudhën e viteve ‘91-‘96, Aleksandër Meksi, është rishfaqur sërish në botën e politikës, duke deklaruar sot zyrtarisht pozicionimin e tij te koalicioni i Polit të Lirisë dhe daljen në zgjedhje, si kandidat i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar.
Në një prezantim të tij para mediave, Meksi është zotuar se do të punojë për një Shqipëri evropiane dhe për reforma konkrete, të cilat do ta çojnë vendin përpara. "Dua të rikrijoj ëndrrën e dhjetorit. Qëllimi ynë ishte vendosja e së drejtës dhe ajo e mosveprimit në bazë të klientelizmit dhe nepotizmit", u shpreh Meksi para medieve.
Ish-kryeministri tha ndër të tjera se të gjithë anëtarët e Polit të Lirisë janë të angazhuar për vendosjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe anëtarësimin e plotë të vendit drejt Bashkimit Evropian.
"Do të ndalim ndryshimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit sipas interesave", është shprehur ndër të tjera Meksi.
Para pak ditësh, koalicioni politik "Poli i Lirisë" nënshkroi me ish-pronarët marrëveshjen për të qenë pjesë e këtij koalicioni parazgjedhor në kuadrin e procesit elektoral të 28 qershorit.
Në emër të këtij koalicioni, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha se ish-pronarët janë të mirëpritur në Polin e Lirisë, si një kategori e shpërfillur nga qeverisja e djathtë.
"Partitë politike nuk i mbajtën premtimet lidhur me pronat dhe çështja e tyre asnjëherë nuk u arrit të zgjidhej ashtu siç u premtua", u shpreh Shehi.
Ndërsa, kryetari i shoqatës së të Shpronësuarve, Rrapo Danushi është shprehur se ish-pronarët e kanë marrë këtë vendim politik, pasi ndihen të tradhtuar nga interesat politike të partive të tjera të djathta, të cilat asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht në konsideratë çështjen e pronësisë.
n.e/NOA