Salzburg, 5 maj NOA - Në Salsburg të Austrisë, është zhvilluar këto ditë, Kampionati Botëror i Aeroplanëve prej Letre me Finalen Botërore të Red Bull Paper Wings 2009.
Plot 253 konkurrentë nga 83 vende të ndryshme të botës kapërcyen kufijtë e fizikës vetëm me një format letre A4 në kampionatin Red Bull Paper Wings. E gjitha kjo, pas suksesit të edicionit të kaluar më 2006.
Dy ditë konkurrim intensiv pati në disiplinat "Distanca më e gjatë e përshkuar", "Koha
më e gjatë në ajër" dhe "Fluturimi më Aerobatik" ku morën pjesë dhe pasionantë shqiptarë.
Në fund, ishin fituesit nga Brazili, Japonia dhe Kroacia që u ngjitën në podium.
***
Shqiptarët
Në Shqipëri dhe Kosovë, këtë vit u zhvillua për herë të parë, ky Kampionat i Aeroplanëve prej Letre "Red Bull Paper Wings". Ai u zhvillua me disa raunde kualifikuese gjatë muajit mars.
Finalistët e secilës disiplinë përfaqësuan vendin tonë në Finalen Botërore në Hangar-7, Salzburg, Austri.
Shqipëria u kualifikua në dhjetëshen finaliste për disiplinën "Koha më e gjatë në ajër" me konkurrentin Zirkon Disha, student i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës. "Ndjehem shumë mirë, është shumë emocionuese të marrësh pjesë në një garë të tillë. Duket si rikthim në fëmijëri" tha shumë i entuziazmuar Zirkoni.
Salsburg
Rruga për në Finalen Botërore në Salzburg ishte e gjatë dhe e vështirë. Të 253 pilotët që prezantuan vendet e tyre në Austri, u është dashur të ndeshen me 37,017 konkurrentë në 613 raunde kualifikuese të zhvilluara gjatë muajve shkurt-mars 2009 në të gjithë globin.
Në disiplinën "Kohëzgjatja më e madhe në ajër" fitues doli Leonard Ang nga Brazili, aeroplani i të cili preku tokën pas 11.66 sekondave.
Në vend të dytë dhe të tretë ishin respektivisht Majkëll Kumer nga Zvicra dhe Gil Totan nga Izraeli.
Japonezi Takeshige Kishlura Kisshii mori vendin e parë në disiplinën "Fluturimi më akrobatik", duke lënë pas polakun Tomasz Chodyra dhe gjermanin Ualdemar Hofman. "Për mua ishte hera e parë që fluturoja me një aeroplan të vërtetë! Do të kthehem kampion në vendin tim! Askush nuk do të më besojë kur të shkoj në Japoni", - tha shumë i gëzuar Kisshii, pas fitores.
Jovica Kozlica nga Kroacia ishte i vetmi nga fituesit e vitit 2006 që e ruajti titullin kampion në disiplinën "Distanca më e gjatë e përshkuar" me një hedhje prej 54.43 metrash.
"E kam mbajtur me akull krahun mbrëmë. Mbas tre javësh trajnimi intensiv krahu im u bë copë", - tha kroati, pasi u kurorëzua për herë të dytë si Kampion Bote i "Red Bull Paper Wings".
a.k/NOA