English

Topi e Berisha homazhe në varrezat "Dëshmorët e Kombit" e vizita në familjet e disa dëshmorëve

Tiranë 5 maj NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha bënë sot homazhe në varrezat "Dëshmorët e Kombit", me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar.

Gjatë ceremonisë zyrtare përkujtimore, Kreu i Shtetit, në shenjë të kujtimit me respekt të veprës së tyre heroike, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit "Nënë Shqipëri". "Kjo ditë e shënuar vjen si çdo vit tjetër me një simbolikë të veçantë. Sot është dita kur ne rifreskojmë kujtimin e të rënëve për kombin. Sot kemi ardhur të kujtojmë patriotët, të cilët dhanë jetën e tyre për pavarësinë e Shqipërisë" u shpreh Topi.

Më pas, presidenti bëri vizitë në familjen e martirit të demokracisë, Azem Hajdari, si dhe në familjet e dëshmorëve të rënë në luftë kundër pushtuesve gjermanë, Xhavit Dishnica dhe Abdulla Keta.

Ndërkohë që edhe kryeministri Sali Berisha në shenjë kujtimi dhe respekti të veprës së tyre heroike, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit "Nënë Shqipëri".

"Sot, është një ditë që çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh dhe shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që flijuan jetën, rininë dhe çdo gjë të shtrenjtë për lirinë e kombit dhe të vendit" u shpreh kryeministri.

Më pas, Kryeministri Berisha bëri vizitë në familjen e Azem Hajdarit dhe në familjen e zonjës Luftare Ngjela, motra e dëshmorit Shyqyri Buzi dhe heroit të popullit Hiqmet Buzi. Â

k.k/NOA

KOMENTE