Elbasan 5 maj NOA - Një ushtar është vetëvrarë mbrëmë gjatë shërbimit në repartin ushtarak.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:15 në repartin e mbrojtjes civile në Krastë kur Eglantin Mehmeti 21-vjeç nga Cerriku i ka dhënë fund jetës me armën e shërbimit.
Ushtarët e tjerë dhe drejtuesit e repartit sapo kanë dëgjuar krismën janë alarmuar duke mbërritur menjëherë në vendin e shërbimit të Mehmetit.
Ka qenë e kotë ndërhyrja e kolegëve të 21-vjeçarit dhe drejtuesve të repartit për t'i dhënë ndihmën e parë ushtarit, pasi ai kishte ndërruar jetë.
Policia e lajmëruar për ngjarjen, ka mbërritur menjëherë për të zbardhur rrethanat.
Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se 21-vjeçari nga Cerriku ka qëlluar veten me armën e shërbimit por ende nuk është bërë e mundur zbardhja e motiveve.
Sipas të njëjta burimeve po punohet për të zbardhur motivin që ka detyruar të riun t'i japë fund jetës.
Policia ka marrë në pyetje shokët e ushtarit për të mësuar ndonjë mërzitje që kishte shfaqur ditët e fundit ai me qëllim që të justifikojnë sapo pak veprimin fatal të tij.
Eglantin Mehmeti kishte dhe 2 muaj të tjerë për të përfunduar shërbimin ushtarak.
k.k/NOA