Në një nga intervistat e pakta që Von Trier jep për krijimet e tij, e përkthyer dhe e botuar dje në "La Repubblica", regjisori danez kundrarrymë, tregon si e shkroi "Antikrishtin" dhe për gjendjen depresive që ka përjetuar kohët e fundit
Nga Jacob Wendt Jensen
"Antikrishti është një film që e kam shkruar me vrull, prej instinktit, pa shumë analiza". Bëhen 25 vjet që Lars von Trier bën kinema dhe tregon për filmin e tij të fundit, "Antichrist", i cili konkurron në Festivalin e Kanës dhe më 22 maj del në kinematë italiane. Deri tani është parë prej filmit vetëm triler-i (paraqitje e shkurtër) dhe disa imazhe. Njëri është imazhi i dy aktorëve, Willem Dafoe dhe Charlotte Gainsbourg, të cilët bëjnë dashuri të shtrirë në rrëzën e një peme gjigante, prej së cilës dalin si degë duar njerëzish që i përkëdhelin. Një imazh mbresëlënës. "Nëse ke parë trailer-in, praktikisht ke parë gjithë filmin" thotë me një grimasë Lars von Trier. Historia e "Antikrishtit" është e thjeshtë: një burrë dhe një grua tërhiqen nga bota në një strehë të vogël në pyll, për të vajtuar humbjen e birit të tyre dhe për të gjetur forca ta çojnë së bashku jetën përpara. Por, natyra ka tekat e saj dhe gjërat nga keq bëhen shumë keq. Intervista Në fazën parapërgatitore ju keni parë shumë filma japonezë horrorë. Pasi i patë, çfarë vule i dhatë filmit tuaj? Disa nga filmat japonezë horrorë që kam parë ishin të këndshëm dhe të realizuar mirë. Për shembull, "The ring". Por nuk kanë ndikuar drejtpërdrejt tek unë. Tashmë kam arritur tek një interpretim imi i horrorit: pasi ka kaluar në duart e mia, rrallë ndodh që një film të rrijë në rrjedhën e zhanrit që i përket. Mund të nisem me dëshirën për të bërë një film horror, pastaj përfundoj duke bërë diçka edhe më të skajshme. Si në këtë rast". A reflekton filmi diçka nga jeta juaj personale? Jo, jo tamam. "Antikrishti" frymëzohet shumë nga Strindbergu. Por edhe Dante ka qenë frymëzim i madh për mua. Në fund të fundit, e kush nuk ka qenë i influencuar? Filmi merret edhe me tema të tjera, ballafaqohet edhe me temën e një njeriu në terapi, pra diçka që e kam parë me sy. Filmi ka vetëm dy protagonistë: një gjë e re për kinemanë tuaj. Më ngacmonte ideja që të bëja diçka tërësisht të re. Ndokush mendon se një film i tillë është i destinuar për të qenë i mërzitshëm, por uroj që të mos jetë aspak i tillë. Por, nëse xhiroj dy herë të njëjtin tip filmi, me siguri që do të mërzitem unë. Dhe për të shmangur mërzinë më pëlqen të eksperimentoj, të provoj gjithnjë një gjë të re. Vete ku më shpie pasioni. Përse zgjodhët Ëillem Dafoe dhe Charlotte Gainsbourg? Ishte një mrekulli të punoje me ata të dy. Charlotte është njeri shumë i përmbajtur. Erdhi vonë tek ky produksion dhe ka qenë një nga problemet që kemi hasur për të gjetur një aktore të interesuar vërtet për projektin, sepse varet nga natyra deri në një farë mase pornografike e filmit. Le ta themi: nuk është një film për të gjithë. Them se kjo është arsyeja, për të cilën shumë aktore në fund e refuzonin pjesën. Ëillem Defoe, edhe ai ka qenë i jashtëzakonshëm me gjithë sfidat që iu desh të përballte. Ku e ka origjinën titulli "Antikrisht"? Është një titull që bën përshtypje. E vështirë ta them për çfarë motivi filmi u quajt pikërisht kështu. Jam i sigurt që spektatorët do të nxjerrin përfundime krejt të ndryshme pas kësaj. Duket se në film nuk flitet haptazi për fenë, por cili është qëndrimi juaj për këtë temë? Gjithnjë e më shumë jam bindur që feja është vetëm një pirg idiotësish. Më duket diçka e shpikur nga disa, me qëllimin që gjithë të tjerët të sillen në një mënyrë të caktuar. Feja është një tërësi normash krijuar nga njerëzit që nuk kanë asgjë hyjnore. Ndofta në botë ka diçka hyjnore - nuk kam përse ta përjashtoj - por duke marrë parasysh që jam një demokrat, është e vështirë pastaj të zgjedhësh një fe kundrejt një tjetre. Cila duhet zgjedhur? Ju duket e drejtë që kush banon në një kontinent të caktuar, duhet të jetë i shpëtuar dhe popujt e tjerë të jenë të paracaktuar me një mallkim të përjetshëm? Thatë se keni bërë terapi. Përse? Tre vjet më parë, për herë të parë në jetën time kam vuajtur nga depresioni. Nëpërmjet këtij filmi kam dashur të reagoj, të marr veten nga ajo që më mbante shtrirë në shtrat, me sytë fiksuar në mur për ditë më radhë. E kam bërë për dy muaj, pa ndërprerje, pa pasur pikë force për të bërë gjë tjetër. Ishte përvojë tepër e vështirë. As më shkonte në mend në atë gjendje se mund të bëja më filma. Kjo do të thotë se për "Antikrishtin" nuk kam punuar tamam më regjim të plotë. Mjekët më thanë se duhej të ndiqja terapitë me barna edhe pesë vjet pas depresionit. E keni idenë përse ratë në depresion? Askush nuk e di saktë për çfarë arsyesh bie në depresion, por unë kam një ide timen. U bënë vite që luftoj kundër disa fobive dhe besoj se kur frikërat bëhen të papërballueshme, trupi kërkon në një farë mënyre të kalojë në prehje, dhe në këto rrethana bie në depresion. Intensiteti i depresionit mund të variojë dhe disa njerëz duan të hidhen nga një urë. Por, ky nuk është rasti im, sado që disa kritikë të kinemasë kanë shpresuar të jetë. Çfarë prisni nga Festivali i Kanës? Të shkosh në Kanë do me thënë të bësh gjithnjë një investim... Në këtë mënyrë mund të financoj filmin tim të ardhshëm. Kana Në edicionin e 62-të i Festivalit të Filmit në Kanë, që zhvillohet më 13-24 maj do të projektohen 52 filma gjithsej, në katër kategori, Konkursi, Un Certain Regard, Jashtë konkurrimit dhe projeksionet e veçanta. "Broken Embraces" i Pedro Almodovar, "Taking Ëoodstock" i Ang Lee, "Inglourious Basterds" i Quentin Tarantino, janë ndër 20 filmat në konkurrim. Do të jenë përballë "Bright Star" të Jane Campion, "Looking for Eric" i Ken Loach, "The Ëhite Ribbon" i Michael Haneke, "Antichrist" i Lars von Trier, "Thirst" i Park Chan-ëook, "Vincere" i Marco Bellocchio-s, etj. Ceremonia e hapjes do të bëhet në pallatin e festivaleve dhe të kongreseve në Francë më 13 maj me filmin e animuar "Up", të regjisorëve Pete Docter dhe Bob Peterson, ndërsa filmi që mbyll festivalin është "Coco Chanel & Igor Stravinsky", i Jan Kounen-it. Antikrishti Regjisori danez, Lars von Trier, konkurron në Festivalin e Kanës me filmin në gjuhën angleze, të quajtur "Antikrisht" (Antichrist). Krijuesi 50-vjeçar, autor i filmave madhështorë si, "Idiotët", "Balerinë në terr", "Dogville", etj., ka ngjallur diskutime akoma pa u shfaqur vepra e tij e fundit, e cilësuar "skandaloze", duke iu referuar trilerit (paraqitjes së shkurtër video) dhe imazheve të filmit. "Antikrishti i Lars von Trierit duket një lojë që ka shkuar shumë larg", - shkruan "The Guardian" dhe pastaj autori i artikullit lutet që Von Trier të mos ketë bërë një vepër të mërzitshme, sepse "deri tani ai nuk ka bërë asnjë film të mërzitshëm". Shpresojmë që të mos ketë bërë ndonjë të pabërë, është nënteksti. Sepse shenjat nuk duken dhe aq të mira për "Antikrishtin". Filmi: Zhanri horror, del në Danimarkë më 29 maj, zgjat 100 min., me buxhet 11 milionë USD Regjisor Lars von Trier, shkruar nga Lars von Trier dhe Anders Thomas Jensen Me aktorët Willem Dafoe dhe Charlotte Gainsbourg.
Publikuar nga "Express"