English

Kreditë në prag zgjedhjesh të qeverisë, PS shprehet e shqetësuar

Tiranë, 6 maj NOA - Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shprehu sot shqetësimin për rrisqet në ritmet e rritjes ekonomike, rritjen e defiçitit, rritjen e borxhit publik dhe rritjen e kostos së borxhit të kësaj qeverie në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Arben Malaj, doli para mediave duke sqaruar se Grupi parlamentar i Partisë Socialiste shpreh shqetësimin për koston e rëndë me të cilën qeveria po financon segmente të veçanta të infrastrukturës.

Malaj theksoi se Qeveria shqiptare edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë ka frikë të informojë opinion publik për koston e kësaj kredie, aq më tepër për një qeveri që brenda dy viteve dhe vetëm për segmente rrugore, ka marrë rreth 480 milionë euro kredi, duke iu referuar të dhënave zyrtare të ministrisë përkatëse.

Sipas Lajat, çdo kredi e marrë ka 4 elementë, që janë të detyrueshme të njihen nga çdo pagues i saj, shuma, monedha, interesi dhe afati në të cilin duhet të paguhet.

Këto kredi të rënda do të paguhen nga taksa-paguesit shqiptarë. Kriza e borxheve të rënda ka prekur sot disa vende të Evropës Lindore, - vlerësoi z.Malaj, ish-ministër i Ekonomisë në qeveritë "Nano".

Sipas tij, shumë abuzues është fakti që rreth 53 lekë në 100 lekë të këtij borxhi nuk shkojnë për të financuar rrugën, por për normat e larta të fitimeve të kompanive ndërtuese dhe financuese.

Ndaj Malaj vlerësoi se çdo shqiptar e kupton se sa më e lartë është norma e kredisë që ata marrin, aq më e rëndë ajo bëhet të nesërmen.

Për Malajn, normat e larta të interesit nga 11,5 deri në 15 % janë shumë të rënda për të nesërmen.

Sakaq, Malaj theksoi se zhvlerësimi i monedhës kombëtare do të bëjë akoma më të rëndë kthimin e kësaj kredie, çdo shqiptar që ka marrë kredi nga bankat në euro, e ndjen vetë se sa e rëndë i është bërë kthimi kredisë.

Këtu, ish-ministir bëri dhe një përllogaritje: "Nëse qeveria pretendon se kostoja totale e këtij segmenti është rreth 650 milionë euro, 75% e kësaj rruge nuk është ndërtuar me para të mbledhura nga buxheti, por me borxh në rritje dhe me kosto të rëndë për taksapaguesit shqiptarë", - duke komentuar se në këtë rast demagogjia e qeverisë është konkrete dhe e kushtueshme.

Në përfundim, z.Malaj tha se opozita, institucionet financiare ndërkombëtare, Banka Qendrore dhe ekspertë të ekonomisë, në mënyrë të përsëritur dhe publike i kanë kërkuar qeverisë të ndërmarrë të gjitha hapat e domosdoshme në reduktimin e rënies së të ardhurave në buxhet dhe sidomos në shkurtimin e shpenzimeve joefektive, si rruga më e mirë për të ulur rrisqet në rritje në financat publike.

Duke pohuar edhe se vendi ynë nuk ka hapësirat e nevojshme fiskale që të rrisë deficitin, borxhin publik dhe koston e tij. Nëse vazhdohet kjo politikë fiskale, vendi në të ardhmen shkon drejt një situate shumë më të rëndë.

e.l/NOA

Â

KOMENTE