English

Kryeministri Berisha takohet me ministrin për Zhvillim Rajonal të Çekisë, Cyril Svoboda

Tiranë, 6 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot ministrin për Zhvillim Rajonal të Çekisë Cyril Svoboda.

Berisha i shprehu ministrit Svoboda mirënjohjen e tij, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë shqiptarëve për kryeministrin Topolanek dhe qeverinë e Republikës Çeke për mbështetjen dhe përkrahjen e jashtëzakonshme, që i dhanë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kryeministri i cilësoi këto dy ngjarje si madhore e historike, duke vlerësuar lart kontributin kryeministrit Topolanek, por edhe të Presidencës Çeke të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të BE-së, për realizimin me sukses të aplikimit për statusin e kandidatit.

Ministri Svoboda shprehu vlerësimin e tij për prezantimin e që kryeministri u bëri reformave të Shqipërisë në takimin në Varshavë, duke nënvizuar faktin se ishin këto arritje të qeverisë shqiptare që bënë të mundur aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu edhe mbi ligjin e lustracionit të figurave politike. Ministri Svoboda theksoi në këtë kontekst, se demokracitë duhet të tregohen të forta në mbrojtjen e vlerave të tyre dhe për këtë arsye ligji i lustracionit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë demokracinë të fortë.

Më tej, biseda u përqendrua mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kryeministri Berisha i bëri me dije Ministrit Svoboda se qeveria ka ndërtuar infrastrukturën zgjedhore më moderne dhe është tërësisht e angazhuar të bëjë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar zgjedhjet më të mira në Shqipëri, që plotësojnë standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme.

 k.k/NOA

KOMENTE