English

Media kosovare: Ndalohet në Kolumbi, Agim Çeku

Prishtinë, 6 maj NOA - Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lider i Partisë Socialdemokrate, Agim Çeku, është ndaluar nga autoritetet policore në Kartahena të Kolumbisë.

Kohavision, duke u mbështetur "në burime diplomatike në Kosovë", raporton se Çeku është ndaluar në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga autoritetet në Beograd, lidhur me luftën e vitit 1999.

Ndërkohë, drejtuesit e PSD-së kanë mohuar se lideri i kësaj partie është ndaluar nga autoritetet kolumbiane.

Zëdhënësi i PSD-së, Gëzim Kasapolli, ka thënë se Çeku nuk është nën arrest, porse është duke qëndruar në hotel.

Ai ka thënë se është e vërtetë që autoritetet serbe po i bëjnë presion Kolumbisë që ta zbatojë fletë-arrestin për të.

Çeku ka marrë pjesë në Kongresin e parë ndërkombëtar për çarmatim, demobilizim dhe riintegrim, që është mbajtur në Kartagjena.

Ai ka qenë ndër panelistët e parë në këtë forum, ku ka folur për përvojat e suksesshme të Kosovës në çështjen e integrimit të ish-ushtarëve të UÇK-së.

Në intervista të ndryshme për mediat kolumbiane Çeku ka folur për luftën e drejtë të Kosovës për pavarësinë, raporton KTV.Â

e.l/NOA

KOMENTE