Tiranë, 6 maj NOA - Ministri i Financave Ridvan Bode nënshkroi sot në emër të qeverisë shqiptare në marrëveshje kredie prej rreth 7.5 milionë euro me UniCredit Bank Austria që do të mundësojë përmirësimin e pajisjeve mjekësore për spitalin Universitar "Shefqet Ndroqi".
Kredia e akorduar nga UniCredit Bank Austria, merret në zbatim të marrëveshjes kuadër të kredisë prej 25 milionë euro, lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, përfaqësuar nga Ministri Federal i Financave.
Ministri falënderoi ambasadorin dhe qeverinë austriake për këtë kredi duke theksuar se ky financim i bashkëlidhet një financim prej 300 milionë lekësh nga Buxheti i shtetit. "Ky spital i është nënshtruar një rikonstruksioni të thelle ( i cili përfundon brenda muajit qershor 2009) që do të ndryshojë të gjithë infrastrukturën e këtij spitali, jo vetëm nga pikëpamja infrastrukturore por edhe funksionale. Me realizimin e kësaj kredie spitali do të jetë i niveleve evropiane" - tha ministri Bode.
Marrëveshja u vlerësua edhe nga drejtoresha e UniCredit Bank Austria, Dr. Florence Ëerdisheim e cila nënshkroi në emër të bankës.
Në ceremoni morën pjesë dhe ministrja e Shëndetësisë Anila Godo dhe Ambasadori austriak z. Klaus Derkëitsch.
Objektivi kryesor i këtij projekti është rritja e nivelit dhe e gamës së pajisjeve mjekësore të spitalit "Shefqet Ndroqi" i cili është kthyer në një spital Universitar i specializuar për sëmundjet e mushkërive, zemrës dhe atyre të brendshme (gastro hepatologji, reumatologji, nefrologji, endokrinologji dhe hematologji).
Kredia e marrë ka principalin 7.488.000 euro me maturim deri në 14 vjet dhe interes 0%.
Tenderi për pajisjet mjekësore të Spitalit "Shefqet Ndroqi" është zhvilluar në Austri, sipas ligjit austriak dhe ka shpallur fitues firmën AME International GmbH, me një oferte prej 7.488.000 euro.
Koha e zbatimit të këtij projekti është parashikuar që të realizohet brenda një periudhë prej 18 muajsh.
e.l/NOA