English

Partia Socialiste paralajmëron: Kartat s'po shiten, shqyrtim bojkotit të zgjedhjeve

Tiranë, 7 maj NOA Update - Partia Socialiste paralajmëron se do të rishikojë qëndrimin politik në lidhje me zgjedhjet, duke konstatuar në terren se vendimet e reja të qeverisë për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime nuk po gjejnë zbatim nga strukturat lokale dhe në shërbimin postar.

Gjithashtu sistemi i zyrave të aplikimit akoma nuk është shtrirë në të gjithë vendin duke rrezikuar seriozisht procesin.

Pohimin e bëri Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri.

Ai theksoi se vendimi nr. 419 datë 30 prill 2009 që redukton tarifën në 200 lekë, jo vetëm që filloi të zbatohet vetëm sot duke humbur 6 ditë të çmuara, por nuk po zbatohet siç duhet.

Gjiknuri evidentoi se në shumë agjenci postare shtetasit pa pasaportë, që nuk e kanë emrin në listat e Ministrisë së Brendshme nuk po pajisen me kupon kundrejt tarifës 200 lekë, me pretekstin se duhet të dorëzojnë një vërtetim nga policia se nuk disponojnë një të tillë.

Sipas tij, ky fenomen është konstatuar në filialet e postave të njësive 1, 2, 4, 5, 7, 9, 11 në Tiranë.

"E theksojmë që kjo kërkesë është në kundërshtim me vendimin në fjalë pasi shtetasi duhet vetëm të nënshkruajë formularin përkatës që nuk disponon pasaportë. Një pengesë e tillë artificiale është një përpjekje tinzare për të mos pajisur shtetasit me kuponë për aplikim", - është vlerësimi i Partisë Socialiste.

Gjithashtu, jo në të gjitha njësitë, Posta Shqiptare po aplikon tarifat e reja për kategoritë përfituese duke sjellë pengesa serioze në proces, vëren opozita kryesore në vend.

Partia Socialiste është gjithashtu "thellësisht e shqetësuar" se akoma në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht që mbi 25 mijë zgjedhës në këto njësi të mos kenë mundësi të pajisen me dokumentin e kërkuar.

"Gjithashtu në shumë njësi transporti falas i premtuar nga Kryeministri nuk po funksionon duke privuar shumë njerëz nga aplikimi për shkak të distancave", - tha Gjiknuri.

Ai denoncoi edhe "heshtjen e Ministrisë së Brendshme në lidhje me kërkesat e anëtarëve të opozitës në komisionin Ad Hoc sidomos për fatin e pasaportave të vjetra që ndodhen akoma në magazinat e Ministrisë së Brendshme dhe procedurat që po ndiqen me to".

Sipas PS, çdo heshtje në këtë drejtim hedh hije të forta dyshimi në lidhje më shpërndarjen e tyre në mënyrë jo ligjore për efekte votimi.

"Gjithashtu i kujtojmë Ministrisë së Brendshme, se në pjesën më të madhe të njësive vendore vendimi nr. 366 për personat që përfitojnë ndihmë ekonomike nuk po zbatohet dhe nuk kemi asnjë informacion publik në lidhje me to. I njëjti fenomen po ndodh edhe me drejtoritë e arsimit në rrethe, të cilat nuk po blejnë kupona sipas vendimit në fjalë", - tha Gjiknuri.

Ai shtoi se PS kërkon që Ministria e Brendshme të ushtrojë kujdesin e duhur më autoritetin që i jep ligji, për të sqaruar dhe inkurajuar njësitë vendore për zbatimin e vendimit, si dhe t'i japë zgjidhje pensionistëve që marrin pensionin në bankë pasi vendimi 266 nuk i mbulon.

Në këtë pikë ka ardhur apeli i PS: "I bëjmë thirrje qytetarëve pa pasaportë të aplikojnë sa më parë në të gjithë vendin dhe të mos dekurajohen nga pengesat e zyrave postare, duke denoncuar në çdo rast pengesat".

Kurse i kërkohet Ministrisë së Brendshme që të deklarojë zyrtarisht dhe publikisht se çdo qytetar që nuk ka emrin në listat e MB duhet të aplikojë duke nënshkruar një deklaratë në postë, si dhe të marrë masa që administrata e postës të mos keqinterpretojë vendimin sipas orekseve të drejtuesve të saj.

Duke u nisur nga moria e argumenteve të përmendura, Damian Gjiknuri paralajmëroi edhe bojkotin e mundshëm: "PS është seriozisht e angazhuar që ky proces të përfundojë një orë e më parë, por nëse situata në terren nuk përmirësohet dukshëm në ditët në vijim, ne jemi të detyruar të rishikojmë qëndrimin tonë politik në lidhje me zgjedhjet".

e.l/NOA

KOMENTE