English

"Qeveria do të bëjë ç'është e mundur që të jemi jashtë vorbullës së krizës"

Tiranë, 6 maj NOA Update - Ministri i Financave iu përgjigj sot interesit të gazetarëve për kredinë sindikale në një takim me median.

Bode dha komentin e tij për normat e interesit me të cilat është marrë kredia sindikale duke vlerësuar se marrja e një kredie ndërkombëtare nga bankat evropiane dhe bankat e vendeve të tjera, përbën një sukses për ekonominë shqiptare.

I pyetur se çfarë është e favorshme në këtë kredi, Bode theksoi se "e marrim kredinë për një afat trevjeçar, por në momentin që tregu ofron norma më të ulëta interesi, ne kemi të drejtë që pas vitit të parë të prishim kontratën, pra të kthejmë mbrapsht kredinë pa asnjë lloj penaliteti, as pagim interesash dhe as pagim gjobash a detyrime të tjera për prishje kontrate".

Kjo sipas Bodes, reflekton zhvillimet në tregun financiar ndërkombëtar. Bode sqaroi se kredia është diskutuar edhe me FMN-në dhe me BB-në dhe tregoi se sugjerimi i tyre ka qenë që "e rëndësishme sot është që ju në qoftë se do të arrini të merrni kredi në tregun ndërkombëtar përbën një sukses shumë të madh".

Bode citoi dy organizmat të kenë thënë se "nuk ka rëndësi norma e interesit me të cilën do e merrni pasi sot nuk ofrohen para".

Më tej ai ilustroi se të gjitha vendet po ndjekin një politikë për shkak të tronditjeve të mëdha dhe të gropës së madhe financiare që është krijuar në to, po ndjekin politikën e bllokimit të eksportimit të parave.

Pra nuk lejojnë që paratë të shkojnë drejt një vendi tjetër me qëllimin për t'i pasur dhe për të mbështetur zhvillimet në tregjet e tyre të brendshme dhe për të financuar nevojat e tyre buxhetore.

e.l/NOA

KOMENTE