English

Qytetarët, papunësia dhe përgjegjshmëria e shtetit

Nga Bamir Topi*

President i Republikës

Padyshim që e prita me shumë kënaqësi dhe respekt ftesën për të marrë pjesë në këtë takim, pikërisht në përvjetorin e 90-të të Organizatës Botërore të Punës, padyshim një ndër organizatat më të rëndësishme në rrafsh global. Duke iu referuar atij filmimi dhe atyre sekuencave, padyshim njeriu në një analizë shumë të shpejtë e mendon që ka qenë një nevojë, një domosdoshmëri e kohës menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, sigurisht për të arritur atë lloj sistemi kompatibël që është i detyrueshëm për të dalë të fituar me një bashkëjetesë të detyruar mes qeverive, midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. Pavarësisht që interesat mund të jenë të ndryshme, por patjetër kërkohet që të ketë një kompatibilitet social në funksion të interesit të të gjithëve. Jeta e kësaj organizate deri në 90-të vjetorin e saj padyshim që ka qenë shumë e pasur. Ajo vazhdimisht është rritur dhe jo rastësisht për misionin e saj, Dyzet vjet më parë, pikërisht në 50-vjetorin e kësaj organizate, ajo u nderua me çmimin e lartë, me çmimin "Nobel". I shkon kësaj organizate ky çmim, patjetër se dhe qëllimi i saj, sikurse ka një lloj analogjie me gjuhën dhe fjalorin e sotëm, të jesh nobël do të thotë të jesh fisnik, pra, kësaj organizate kaq fisnike i takon ky emër, pra emri i të madhit Nobel. Është kënaqësi e veçantë për mua, që me rastin e këtij përvjetori të shpreh vlerësimin tim të veçantë për përpjekjet e pareshtura në drejtim të zgjerimit të dialogut social, të standardeve të punës, të lirisë së shoqatave, të adresimit të të gjitha aspekteve të punës, të eleminimit të punës së fëmijëve dhe diskriminimit, të vendosjes së punësimit në qendrën e politikave ekonomike dhe sociale, të angazhimit për të zgjeruar mbrojtjen shoqërore për të gjitha grupet në shoqëri, si dhe rëndësisë së veçantë që i kushton sigurisë dhe kulturës së shëndetit në vendet e punës në Shqipëri dhe mbarë botën. Nuk ishte rastësi, që në fund të takimit, liderët e G 20 deklaruan se e njohin dimensionin njerëzor të krizës financiare globale dhe të gjithë janë angazhuar dhe vazhdojnë të jenë të angazhuar secili në krye të qeverisë, apo të vendit që kryesojnë për të shmangur të gjitha efektet që ka kriza, për të krijuar vende pune dhe po marrin masa që mbështesin njerëzit me të ardhura të ulta, duke i bërë thirrje për këtë qëllim Organizatës Botërore të Punës që të punojë me organizatat përkatëse për të vlerësuar veprimet e deritanishme dhe ato që kërkohen për të ardhmen. Sigurimi i fondeve të mjaftueshme për gjatë gjithë periudhës së ndikimit të krizës financiare globale, natyrisht, mbetet guri i provës për një mbrojtje të sigurtë shoqërore të familjeve me të ardhura të pakta, për pensionistët dhe për kategori të tjera të ngjashme, pa rënduar ato kategori që janë të zënë me punë, pasi programet e mbrojtjes shoqërore mund të konsiderohen efektive dhe efiçente vetëm po qe se do të gjejmë burime të mjaftueshme. Mbulimi i programeve të mbrojtjes shoqërore, nëpërmjet rritjes së tatimeve, nga pikëpamja ekonomike, dihet që është i pamundur, pasi rritja e tarifave tatimore në kushtet e krijuara nga kriza do të thithte fuqinë blerëse, do të ulte nxitësit e punës, do të zvogëlonte investimet dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike. Për përballimin e ndonjë çekuilibri që mund të krijohet nga efektet e krizës globale duhet që të gjithë së bashku ta marrim me një seriozitet të veçantë, pa u përpjekur për të nxjerrë përfitime të çastit, por duke marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e burimeve reale me të cilat do të bëhet financimi i mbrojtjes shoqërore. Rëndësi dhe rol të veçantë, në situatën e krijuar, mund dhe duhet të luajë Këshilli Kombëtar i Punës, si një mjet efektiv për të koordinuar të gjitha nevojat dhe interesat e grupeve shoqërore në vështirësi; si një tribunë ku duhet të zotërojë arsyeja dhe jo pasioni; si një urë për t'i kaluar të gjitha vështirësitë dhe mungesat e paparashikuara; si një mjedis ku kultivohen ide dhe projektohen zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Para së gjithash përpjekjet për të parandaluar efektet e mundshme të krizës, në të gjitha këndvështrimet, kërkojnë durimin dhe mençurinë e duhur që të çojnë drejt zgjerimit të dialogut shoqëror, në gjetjen e kompromiseve të nevojshme dhe të atij konsensusi që bën të mundur shmangien dhe zbutjen e tensioneve, veçanërisht, në prag, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, sepse vetëm kështu mund të arrihet që dialogu social të jetë gjithnjë në zhvillim, si dhe pozicioni i sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve të jetë proaktiv. Mbështetja e punësimit me anë të stimulimit të rritjes ekonomike, investimet në arsim dhe trajnimi me anë të politikave aktive të tregut të punës, janë tre aspirata që meritojnë vëmendjen, përkushtimin dhe përpjekjet e përbashkëta të qeverisë, të organizatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve. Pikërisht për këtë arsye përballimi i efekteve të mundshme të krizës kërkon rishikimin e strategjisë, ose masave të punësimit të rinisë, të grave, veçanërisht, në zonat periferike të qyteteve të mëdha, duke i kushtuar rëndësi të veçantë nxitjes së eksporteve, sidomos industrive me fasonë, që punësojnë në një numër tejet të konsiderueshëm grash dhe vajzash nga familje me të ardhura të pakta, që preken nga papunësia dhe ulja e dërgesave të parave nga emigracioni. Në situatën e krijuar, rëndësi të veçantë u duhet kushtuar programeve të zhvillimit dhe perfeksionimit të trajnimeve profesionale për të përgatitur punonjës të kualifikuar, me qëllim rritjen e aftësive të tyre konkurruese në një të ardhme të afërt në tregun ndërkombëtar të punës, duke marrë në konsideratë faktin se përditë e më shumë po rritet mundësia e lëvizjes pa viza drejt tregjeve të punës në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Natyrisht këto lloj komunikimesh mund të duken si komunikime teorike. Kanë pjesën e tyre ceremoniale, sigurisht për ta bërë takimin më konkret më të ndjeshëm, nuk është e rëndësishme vetëm të përkujtojmë përvjetore, por të vlerësojmë realisht misionin e rëndësishëm të OKB-së, të Organizatës Botërore të Punës dhe ta vendosim atë dhe në situatat aktuale, që janë situata shumë preokupante, aq preokupante sa përveç takimeve të nivelit të lartë politik që realizohen qoftë në G 8 qoftë në G 20 ka dhe një iniciativë të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Ban Ki Mun për të realizuar një takim special të OKB-së nga data 1-3 qershor pikërisht për ta trajtuar krizën globale jo thjesht nga interesat e vendeve të caktuara, të cilat nuk mund të zgjidhjen thjesht në G 20, sepse përmasat e krizës janë globale. Kjo do të thotë që përveç vendeve tepër të zhvilluara, prekin kryesisht edhe vendet e varfra. Pra, OKB-ja, duke ridimensionuar edhe një herë pozicionin e saj në funksion të kësaj krize, do të realizojë një takim shumë të rëndësishëm për të diskutuar për efektet e krizës globale dhe mbi të gjitha për të bashkërenduar të gjithë së bashku politikat për të dalë gradualisht nga kjo krizë. Natyrisht, sikurse janë shprehur edhe aktorët më të mëdhenj të politikës botërore, kriza është globale, efektet e saj i jep pa diskutim në të gjithë sistemin, ku më shumë e ku më pak dhe të gjithë duhet të përpiqen që të dalin nga kjo krizë dhe me siguri masat që do të merren do të bëjnë të mundur që brenda vitit 2010 të fillojë të ketë një rritje ekonomike që do të bëjë të mundur që tregjet të ridimensionohen, të intensifikohen, të jenë në interes jo vetëm të qeverive, por edhe të punëdhënësve dhe të punëmarrësve. Padyshim që Shqipëria, ndonëse me përmasat e saj të vogla, sikurse është e ndjeshme nga kriza e ekonomisë globale, ashtu do të jetë edhe partnere, edhe brenda programeve qeveritare, por edhe brenda programeve të OKB-së, për të qenë aktore sigurisht modeste, por edhe në funksion të qëllimeve të veta që ta ndjejë sa më pak këtë krizë, por edhe në mund të ndihet, të dalë sa më shpejtë nga kjo krizë. U morën në konsideratë tre faktorë të rëndësishëm, qeveria, punëdhënësit dhe punëmarrësit. Pra, aty ku mendohet se ka nevojë për bashkëpunim atëherë është shumë e rëndësishme që në këtë kohë interlokutorët socialë duhet të jenë ata që duhet të kontaktohen, sepse ju e dini më mirë se unë, nuk është se tregu është kudo i formalizuar, ka simptoma edhe të një tregu të informalizuar, pra gjërat janë deri në një farë mënyre realiste dhe në një situatë të tillë, patjetër që interlokutorët socialë, që janë sindikatat, janë institucione, institute private, që janë në funksion të dialogut social, duhet të arrijnë të realizohen, duhet të rrisin aktivitetin e tyre, sepse njerëzit në nevojë, njerëzit që mund të jenë të papunë kanë nevojë edhe për interlokutorë. Ne sot jemi në prag të zgjedhjeve politike. Është e vështirë edhe për njerëz me eksperiencë politike të orientohet në një kakofoni programesh, thirrjesh, propagande që është e natyrshme për natyrën e partive politike dhe për natyrën e fushatave elektorale. Pra, të gjithë premtojnë, të gjithë premtojnë që do të realizojnë, e rëndësishme është që njerëzit e thjeshtë, njerëzit e thjeshtë kanë nevojë të orientohen jo thjesht nga partitë politike. Njerëzit e thjeshtë kanë nevojë të orientohen dhe nga interlokutorët socialë që kanë marrë përsipër që të përfaqësojnë interesat e atyre që konsiderohen fuqi punëtore të punës. Interlokutorët socialë patjetër që do të negocionojnë dhe ky është në natyrën tuaj, ky është misioni juaj, por me cilësinë e Presidentit të Republikës, që është garant i kohezioneve sociale, unë ju inkurajoj që edhe në kuadër të filozofisë së Organizatës Botërore të Punës, edhe pse jemi në prag të zgjedhjeve, duhet patjetër që interesat e njerëzve në nevojë, sidomos ajo që shpreha, të politikave që duhet të realizohen jo domosdoshmërisht nga njerëzit e administratës, apo nga njerëzit e politikës, por nga biznesi, që duhet të ketë edhe intuitën, por duhet të ketë edhe ndjeshmërinë që krahas fitimit të ketë ndjeshmërinë njerëzore për t'i ardhur në ndihmë njerëzve nëpër zona të varfëra, aty ku grumbullohen më shumë njerëz, në periferi, pikërisht për të investuar modele të industrisë që do të ishin të efektshme për të dy palët. Do të ishin të efektshme për biznesin, do të ishin të efektshme për punëmarrësin dhe patjetër do të ishin me efekt edhe për ekonominë kombëtare. Unë edhe një herë, pa dashur të futem në diskutime të gjata, sepse këto janë tema të ndjeshme, por njeriu duhet të ketë edhe sensin e masës patjetër dhe të respektojë edhe festimin e vitit të 90-të të Organizatës Botërore të Punës, unë ju inkurajoj dhe nëpërmjet këtij inkurajimi, sigurisht ju siguroj që ndjeshmëria e Institucionit të Presidentit do të jetë e lartë për të gjitha problemet dhe për të gjitha nevojat që do të ketë grupi i interesit i biznesit, interesi i qeverisë, por edhe interesi i atyre që kërkojnë të punësohen, në mënyrë që të arrihet edhe këtu një konsensus, nëpërmjet një dialogu social.

(*) Përshëndetja me rastin e 90-vjetorit të Organizatës Botërore të Punës

KOMENTE