English

Super kredi për Durrës -Kukës, interesat shkojnë në 11%

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë 6 maj NOA - Qeveria shqiptare ka arritur të siguroje 95 milion euro kredi nga bankat ndërkombëtare, me interesat më të larta të marra ndonjëherë, 9% plus euribor, çka do të thotë që interesi arrin në 11 %.

Pjesa më e madhe e kredisë, e cila do ti kushtojë shtrenjtë shqiptarëve do të shkojë për segmentin rrugorë Rrëshen -Kalimash.

Ministri i Financave Ridvan Bode e konsideron këtë një arritje për ekonominë shqiptare, pasi në këtë kohë krize, kreditimi ka rënë ndjeshëm.

"Norma e interesit shkon në 11%, por ju e dini se paraja sot në botë është shtrenjtuar. Unë do ta quaja arritje pasi shumë vende pranë nesh po kërkojnë të marrin kredi dhe nuk po mundin, madje po kërkojnë ti marrin me interesa deri në 20%"- shprehet Bode.

Sipas tij garantimi i kredisë është një vlerësim për ekonominë shqiptare.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë socialiste.

Deputeti Arben Malaj ka shprehur shqetësimin se kredia do të ketë një kosto të madhe në të ardhmen për tu shlyer.

Sipas tij kjo kredi është e panevojshme në një kohë që qeveria thotë se është me tejkalim të ardhurash.

Në një dalje publike Malaj shprehet se: " Shumë abuzues është fakti që në 53 lek në 100 lekët të këtij borxhi nuk shkojnë për të financuar rrugën, por për normat e larta të fitimeve të kompanive ndërtuese dhe financuese".

Ai thekson se rritja e defiçitit do të ketë efekte në ekonomi.

Por ministri Bode ka garantuar se norma e interesit të kredisë mund të ndryshojë pas një viti në rast se tregu bankarë do të reflektojë ulje të kostove. Hedhja në treg e kësaj valute pritet të ndikojë në stabilizimin e kursit të këmbimit, ku që prej fillim vitit monedha evropiane ka mbetur në kufijtë e 130 lekëve.

r.l/k.k/NOA

KOMENTE