Velipojë, 6 maj NOA - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka qenë sot në Velipojë ku është takuar me banorët e kësaj komune.
Në fjalën e saj, Topalli tha se investimet e kryera në Shqipëri këto katër vjet, janë shifra të paimagjinueshme."Të gjitha veprat e përfunduara në total shkojnë 12 milionë euro. Unë këtu kam zyrtarë që kanë drejtuar vite më parë bashkinë e Shkodrës. Në 8 vjet rresht në bashkinë e Shkodrës nuk kanë ardhur më shumë se 1 milion dollarë, kurse vetëm në Velipojë, sikurse edhe dje në komunën e Shëngjinit dhe ashtu si në çdo komunë tjetër të Shqipërisë, në veri apo në jug, apo në lindje dhe perëndim, ka nga 10 herë, 15 herë më shumë investime" u shpreh Topalli.
"Pas 28 qershorit në mandatin e dytë, kemi të tjera projekte të mëdha, zhvillimin ekonomik e kemi përpara. Â Projektet tona janë vazhdimi i atyre projekteve të zhvillimit ekonomik që kanë bërë që kjo Shqipëri të shihet dhe të renditet nga vendet e tjera ndryshe nga sa renditej vetëm 4 vite më përpara" shtoi më tej kryeparlamentarja.
"Më 28 qershor do të jetë ditë e bukur, e madhe, më 28 qershor ne do të realizojmë fitoren më të fortë dhe më të thellë, nga seç e kemi pasur 4 vite më përpara, sepse shqiptarët duan të vazhdojnë në rrugën e integrimit, të pritjes, të marrjes së investimeve më të mëdha" u shpreh Jozefina Topalli.
k.k/NOA