English

Veliaj, te bizneset e qumështit: Qeveria s'mbajti premtimin për akcizën e naftës

Berat, 6 maj NOA - Kryetari i G99, Erion Veliaj vizitoi disa biznese agrare në komunën e Kutallisë dhe vlerësoi punën e atyre që me sakrifica kanë ndërtuar fabrika me kushte moderne brenda standardeve evropiane dhe që punësojnë familjarët e zonës duke lehtësuar plagën e papunësisë, një ndër problemet më kryesore në vend.

Veliaj duke vizituar një fabrikë të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve, e cila punëson mbi 700 vetë, tha se histori të tilla suksesi në bizneset e vogla dhe të mesme të lidhura me fshatin duhen inkurajuar fort nga qeveria.

Kjo sipas tij, duhet bërë nëpërmjet negocimit për të marrë kredi të buta, rimbursimit të TVSH dhe amortizimit të makinerive si dhe nëpërmjet metodave indirekte si subvencionimi i naftës për makineritë e tyre.

"Qeveria Berisha premtoi se do të hiqte akcizën e naftës, një taksë e cila e rrit çmimin e naftës për këto biznese por dhe për biznese të tjera të agrikulturës dhe peshkimit, dhe ajo nuk e mbajti këtë premtim", - evidentoi Veliaj.

Sipas tij, heqja e akscizës së naftës lehtëson jo vetëm punën e këtyre fabrikave por dhe të shumë fermerëve të vegjël që e vuajnë këtë kosto.

"Nuk mund që një fermer të mbushë traktorin me të njëjtin çmim që dikush mbush serbatorin e një Mercedesi", - vlerësoi Veliaj, duke pohuar se këto janë gjërat për të cilat vërtet duhet të shqetësohemi gjatë kësaj fushate.

Kurse premtoi se "G99 është e angazhuar që në qeverinë e ardhshme të mbështesë ato biznese që punësojnë familjet në fshat dhe inkurajojnë produktet lokale".

e.l/NOA

KOMENTE