Kabul, 7 maj, NOA - Në gjithë Afganistanin, njihet se jeton veç një derr i vetëm dhe si kafshë "e rrallë" që është për këtë vend, ai mbahet në kopshtin zoologjik të kryeqytetit Kabul, ku vizitohet nga njerëz të shumtë.
Të qenit myslimanë të banorëve të këtyre zonave, ka bërë që ata jo vetëm të mos e përdorin derrin në familjet e tyre për ushqim, por ta mbajnë sa më larg dhe mos ta kultivojnë aspak rritjen e tij.
Kjo gjë sidomos bëhet më pak e dëshirueshme për ta, nën panikun që ka përfshirë botën për prekjen nga virusi i griput që kap derrat, H1N1.
Frika prej tij e ka shtyrë drejtorinë e kopshtit zoologjik në Kabul të vendosë në karantinë derrin e vetëm i cili jeton në këtë shtet.
Derri në një afat të pacaktuar nuk do të mund të kënaqet në shëtitjet nëpër barin pranveror me shoqen e tij më të mirë, një dhi.
Derri i vetëm për të cilin dihet se jeton në Afganistan, ka ardhur, së bashku me disa kafshë tjera në vitin 2002 si dhuratë nga Kina e cila ka dashur të ndihmojë rindërtimin e kopshtit më të madh zoologjik në vetëm, në kryeqytetin e shkatërruar gjatë luftës qytetare 1992-1996. "E kemi vendosur përkohësisht në karantinë, në hapësirën e dedikuar për dimër, për shkak të virusit të gripit", ka deklaruar drejtori i kopshtit zoologjik Aziz Gul Saqib. "Njerëzit kryesisht nuk dinë shumë për këtë grip dhe kur të shohin derrin do të mund të bënin panik nga frika e infektimit. Për t'i qetësuar e kemi larguar derrin nga vendi ku ata mund ta shohin", ka shtuar ai.
n.e/NOA