Tiranë, 7 maj NOA/Update - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha priti, sot, përfaqësuesit e Unionit të Shoqatave të Shqiptarëve të Greqisë, të cilët, me ftesë të Institutit Kombëtar të Diasporës.
Basha tha se çështja e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve është shumë e ndjeshme për emigrantët shqiptarë dhe si rrjedhim, një prioritet i qeverisë "Berisha".
Kurse shtoi se kjo ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara mes kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Karamanlis gjatë vizitës së fundit të kryeministrit grek në Tiranë.
Për këtë qëllim, - tha ministri, palët ranë dakord për një marrëveshje të përbashkët mbi njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve.
Bisedimet, tashmë po avancojnë dhe për këtë qëllim, ndodhet në Athinë dhe Ministri shqiptar i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Një çështje tjetër prioritare, - tha Basha, është dhe mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë në diasporë.
"Në këtë drejtim përpjekjet tona janë drejtuar drejt mësimit të gjuhës shqipe, në sa më shumë shkolla publike por edhe në funksionalizimin e një rrjeti qendrash mësimi të gjuhës shqipe kudo ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë në Greqi", - deklaroi ministri.
Ai shtoi se një tjetër mundësi që do të shfrytëzohet në këtë drejtim është dhe transmetimi i programeve të veçanta satelitore në ndihmë të arsimit dhe kulturës për bashkëkombësit tanë jashtë vendit.
Ministri u ndal, gjithashtu, te lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen. Ai tha se pritet të lehtësohet një herë e mirë, plaga e ndarjes së familjeve dhe familjarët e emigrantëve do të kenë mundësi të udhëtojnë, pa pasur nevojë për viza, drejt vendndodhjes së familjarëve të tyre kudo në Greqi apo në vendet e tjera të hapësirës Shengen.
"Me integrimin e Shqipërisë në NATO, me aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE, me pajisjen  e qytetareve shqiptarë me pasaporta biometrike, Shqipëria është e sigurt në rrugën e duhur për të nënshkruar shumë shpejt marrëveshjen për liberalizimin e plotë të vizave në hapësirën Shengen", - theksoi ministri.
Përfaqësuesit e 52 shoqatave, që përfshihen në Unionin e Shoqatave Shqiptare të Greqisë, vlerësuan hapat që ka bërë vendi përpara, si një kontribut domethënës në ngritjen lart të dinjitetit të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë kudo në botë.
Anëtarësimi i vendit në NATO dhe hapat drejt anëtarësimit evropian e kanë ulur vendin tonë si të barabartë mes kombeve evropiane dhe euroatlantike, theksuan ata, dhe kjo, sipas tyre, ka një efekt të padiskutueshëm pozitiv edhe në marrëdhëniet e qytetarëve shqiptarë dhe qytetarët e vendeve ku ata jetojnë.
e.l/NOA