Tiranë, 7 maj NOA - Një djalë i ri është therur me thikë në mes të Tiranës, publikisht, pranë sheshit "Skënderbej" dhe tani gjendet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme, në afërsi të sheshit "Skënderbej",
pas Pallatit të Kulturës, thanë për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare të policisë së Tiranës.
Specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, konfirmuan sot arrestimin e 20-vjeçarit Saba Kovaçi, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë dhe Nezir Mustafaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.
"Arrestimi i tyre u krye sepse mbrëmë në afërsi të sheshit "Skënderbej", në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë goditur me thikë, për motive të dobëta, 24-vjeçarin Daniel Agolli, me banim në Tiranë, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha se një dosje penale i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Vrasjes me dashje" kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
a.k/NOA