English

Kartat e identitetit, Posta ofron lehtësi të reja për procesin e aplikimit

Tiranë, 7 maj NOA - Posta Shqiptare bëri të ditur sot se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë vendosur krijimin e të tjera lehtësirave për qytetarët që nuk kanë pasaportë.

Nga sot, shtetasit emrat e të cilëve nuk gjenden në listat e zyrave postare të marra nga Ministria e Brendshme se nuk do t'u duhen dy certifikata, njëra për marrjen e kuponin bashkëngjitur me deklarimin që do të bëjnë në zyrat postare dhe tjetra për aplikim. Qytetarët që kanë humbur pasaportën dhe nuk e kanë deklaruar atë në kërkim të marrjes së kuponit veç formularit të vetëdeklarimit në sportelet e Postës do t'i bashkëngjisë jo certifikatën me fotografi marrë në Gjendjen Civile të njësive të qeverisjes vendore por fotokopjen e saj.

Ndërsa me çertifikatën origjinale ata do paraqiten në qendrat e aplikimit pranë minibashkive, bashkive dhe komunave për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik.

Qytetarët duhet të paraqiten në zyrat postare duke pasur me vete certifikatën origjinale dhe fotokopjen e saj në mënyrë që të bëhet njehsimi me origjinalin nga ana e punonjësve të postës.

Derimë tani sa i përket shtetasve pa pasaportë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë janë 3 mijë qytetarë që kanë marrë kuponët, prej tyre një mijë kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit pasi emri i tyre nuk ishte në listat e Ministrisë së Brendshme dhe 2 mijë kanë blerë kuponin sipas listave të dërguara nga kjo Ministri.

Posta informon edhe se në zyrat postare ndodhen të gjitha listat e personave pa pasaportë dhe se po zbatohet me përpikëri vendimi i qeverisë dhe udhëzimi i ministrisë së Financave.

Institucioni informon edhe se deri më sot vetën në 551 sportelet e Postës janë shitur mbi 811 mijë kuponë për letërnjoftimin elektronik dhe mbi 7 mijë për pasaportat biometrike. "Bazuar në marrëveshjen me ISSH theksojmë se jo vetëm që pajisja e pensioniste me kuponë po ecën me ritme të kënaqshme, por dhe janë rimbursuar deri më tani mbi 35 mijë pensionistë", - tha Bruno Gjymshana, zëdhënës i Postës Shqiptare.

Kurse i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të paraqiten në postë dhe të tërheqin kuponin për t'u pajisur me letërnjoftimin elektronik si një mjet modern identifikimi për t'iu bashkuar kështu familjes evropiane.

e.l/NOA

KOMENTE