Meksiko, 7 maj, NOA - Jeta publike në Meksikë duket se ka nisur rrjedhën e saj të zakonshme, pas alarmit që u krijua në këtë vend lidhur me prekjen e mjaft personave nga virusi H1N1, i cili shkakton të ashtuquajturin "gripi i derrit".
Restorantet dhe kafenetë kanë rifilluar tashmë aktivitetin e tyre, ndërsa mësimi fillon sot nëpër gjimnaze dhe universitete dhe të hënën në shkollat nëntë vjeçare.     Â
Autoritetet lokale kanë njoftuar se kinematë, teatrot, baret dhe diskotekat e Meksikos, të mbyllura që prej më shumë se një jave për arsye të gripit të derrave, ditën e sotme do të hapin dyert.Â
Ky vendim sipas tyre, është marrë pas uljes së nivelit të alarmit shëndetësor në kryeqytetin meksikan, njoftoi komisioni i vigjilencës epidemiologjike të bashkisë.  Të gjitha lokalet e natës dhe vendet e dëfrimit ishin mbyllur që prej 28 prillit në Meksiko, me qëllim kufizimin e përhapjes së virusit A (H1N1). Bilanci i fundit i gripit të derrave shkon në 42 të vdekur dhe njëmijë të sëmurë në vendin latino-amerikan që konsiderohet si vatër botërore e virusit. Autoritetet meksikane vlerësojnë, gjithsesi, se epidemia është në regres.
n.e/NOA