English

Ministri i Mbrojtjes Oketa dekoron atasheun ushtarak të Greqisë në Tiranë

Tiranë, 7 maj NOA - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dekoroi sot atasheun ushtarak të Republikë së Greqisë në Tiranë, gjeneral brigade Konstantinos Ksistras, i cili përfundon misionin e tij në Shqipëri.

Ceremonia e dekorimit u zhvillua në ambientet e ministrisë së Mbrojtjes ku morën pjesë ministri Gazmend Oketa, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Zyber Dushku, si dhe drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Ministri Oketa, pasi i dorëzoi gjeneral brigade Konstantinos Ksistras medaljen "Për shërbime të shquara", vlerësoi punën dhe kontributin e tij gjatë periudhës tre vjeçare si atashe ushtarak i Greqisë për forcimin e bashkëpunimit midis dy ushtrive tona dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të forcohet më tej tashmë kur Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura janë bërë anëtarë të NATO-s.

Oketa e uroi ushtarakun e lartë grek për gradimin kohët e fundit me gradën gjeneral brigade dhe i shprehu atij suksese në karrierën e mëtejshme ushtarake.

Gjeneral brigade Ksistras shprehu kënaqësinë për vlerësimin që ministri i Mbrojtjes Oketa i bëri punës së tij si atashe ushtarak në Tiranë dhe theksoi se gjatë periudhës që shërbeu në Shqipëri ka gjetur një ambient të ngrohtë dhe ka pasur një komunikim të mirë me Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe ushtarakët shqiptarë, duke realizuar një bashkëpunim të ngushtë midis dy ushtrive dhe dy vendeve.

k.k/NOA

KOMENTE