English

Ministria e Brendshme: Karta 200 lekë dhe ata që s'e gjejnë emrin në lista

Tiranë, 7 maj NOA - Ministria e Brendshme tha sot se procesi i aplikimit për kartat e identitetit po realizohet me shpejtësi dhe në mënyrë perfekte.

Procesi i aplikimit mbulon të gjithë territorin e vendit duke ofruar mundësinë e aplikimit për çdo qytetar pavarësisht se ku ai ka vendbanimin.

Procesi i aplikimit ka filluar edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit duke bërë të mundur edhe pajisjen e atyre që vuajnë dënimet me burgim apo paraburgim.

Zwdhwnwsi i dikasterit, Fatmir Konja informoi se deri më sot, kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik afro 800 mijë qytetarë shqiptarë dhe janë prodhuar mbi 600 mijë letërnjoftime, 350 mijë prej të cilave tashmë janë në qarkullim.

Kurse shtoi se kapacitetet e aplikimit dhe prodhimit janë në kuota maksimale, respektivisht 22 000 dhe 20 000 në ditë.

Procesi i pajisjes me kuponë me vlerën 200 lekë të personave pa pasaportë, si nga ana e njësive vendore, ashtu edhe nga zyrat e postës po funksionon normalisht, - siguroi Konja.

Ai shtoi se vetëm gjatë dy ditëve të fundit në sportelet postare të qytetit të Tiranës kanë përfituar këto kuponë rreth njëmijë persona të evidentuar në listat e qytetarëve pa pasaportë.

Ndërkohë sipas Vendimit të Qeverisë i krijohet mundësia të pajiset me kupon edhe çdo qytetari që mund të mos jetë në këto lista, duke paraqitur një vërtetim nga ana e policisë, ose edhe vetëm duke plotësuar formularin e vetëdeklarimit në sportelin e postës.

Sakaq, Ministria e Brendshme tha se ka dërguar zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën e personave pa pasaportë që nuk kanë aplikuar ende për kartën e identitetit.

Kjo listë i është dërguar gjithashtu edhe subjektit Partia Socialiste si dhe është e depozituar në çdo komunë e bashki dhe në të gjitha sportelet e zyrave postare.

"Ministria e Brendshme ka dërguar pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar informacionin e detajuar për numrin e pasaportave aktuale që janë gjendje në 12 Drejtoritë e Qarqeve të Policisë, si dhe në Magazinën e Qendrës së Furnizimit Materialo -Teknik të Policisë së Shtetit, por jo vetëm, numrin e sasisë së tyre por edhe numrin serial të çdo pasaporte, por jo vetëm, këto, por edhe numrin e pasaportave të shpërndara gjatë periudhës Janar-Prill 2009, të detajuar për çdo qark", - detajoi z.Konja.

Sipas tij, ky informacion është shoqëruar me kopje të të gjitha akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së pasaportave aktuale.

a.k/NOA

KOMENTE