English

Përfitimet e shtetit të Kosovës nga FMN, shumëdimensionale, dinjitet dhe kredi

Prishtinë, 7 maj, NOA - Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar thuhet se do të mundësojë një zhvillim më të hovshëm ekonomik, marrjen e kredive të buta për projekte kapitale, si dhe do të ndikojë në tërheqjen e investimeve të huaja. Përftimet e Kosovës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do të jenë shumëdimensionale.

Anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm të fuqishëm monetar, sipas zyrtarëve kosovarë, ekspertëve për çështje ekonomike dhe përfaqësuesve të organeve ekonomike në Prishtinë, do të krijojë siguri ekonomike, do ta rrisë imazhin e Kosovës në tregjet financiare dhe shumë investitorë të huaj që kanë hezituar të futen në tregun e Kosovës, do ta kenë një besim shumë më të lartë. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, thekson se roli i FMN-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm në stabilitetin makroekonomik të Kosovës, në ofrimin e asistencës, në reformat strukturore ose mundësinë e kredive të buta për nevojat zhvillimore të ekonomisë së Kosovës. "Banka Qendrore dhe Qeveria e Kosovës, deri më tani, kanë pranuar asistenca të ndryshme teknike në ngritjen e kapaciteteve, në dizajnimin e legjislacionit. Tani kjo do të bëhet në mënyrë zyrtare, si një vend anëtar me të drejta të barabarta. Fondi legalisht, në mënyrë të fuqishme, mund të involvohet në politikat zhvillimore dhe në ofrimin e asistencës teknike, qoftë për BQK-në, qoftë për Qeverinë e Kosovës", thotë zoti Rexhepi. Anëtarësimi i Kosovës në FMN, sipas Rexhepit, krijon edhe detyrime të mëdha, por, njëkohësisht, shton ai, krijon hapësira për shfrytëzimin më të fuqishëm të përvojës së eksperiencës së gjatë që ka Fondi për zhvillimin ekonomik në të ardhmen. Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thekson se nga FMN-ja Kosova mund të kërkojë kredi për investime kapitale në të ardhmen, duke u bërë kështu pjesë e zhvillimeve ndërkombëtare në aspektin e tregut financiar. "Momenti i hyrjes së Kosovës në FMN dhe kuotizimit të Kosovës relativisht të mirë nënkupton se Kosova është subjekt kontraktues i mundshëm në FMN. Është çështje e përgatitjeve në nivele shtetërore të diskutimeve dhe negociatave në rast të nevojës për kreditime afatgjate, kreditime që do të mundësojnë tejkalimin e krizës ekonomike në vend", pohon Beqaj. Për ekspertin për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm financiar është një ngjarje shumë e rëndësishme, që drejtpërdrejt, sipas tij, lidhet në aspektin politik, por më tepër në atë ekonomik. "Me anëtarësimin e Kosovës edhe në Bankën Botërore, do t'i jepet asaj një mundësi e madhe për marrjen e kredive zhvillimore, për thithjen e investimeve. Do të mund që këto kredi t'i shfrytëzojmë për mirëqenien e qytetarëve, për hapjen e vendeve të reja të punës, për një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm", thotë profesor Bektashi. Në anën tjetër, përfaqësuesit e Institutit për Hulumtime Zhvillimore "Riinvest" konsiderojnë se anëtarësimi i Kosovës në këto organizata financiare ndërkombëtare, ka shumë rëndësi, sepse kjo, sipas tyre, tregon që Kosova do ta avancojë pozitën e vet negociuese me këto organizata dhe do të bëhet partner në bashkësinë ndërkombëtare. Përfaqësuesi i këtij Instituti, Muhamet Sadiku, thotë se Kosova me këtë anëtarësim është bërë pjesë përbërëse e sistemit financiar ndërkombëtar dhe, siç thotë ai, është një sinjal i mirë për rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. "Kosova, me anëtarësimin e saj në FMN, e qartëson pozitën e vet ndërkombëtare, bëhet pjesë e vendimmarrjes ndërkombëtare në këtë institucion, rriten kapacitetet e FMN-së dhe mundësia e një intervenimi më përmbajtjesor, si në aspektin e ofrimit të asistencës teknike qeverisëse të Kosovës, e cila është mjaft e nevojshme. Gjithashtu do të ndikojë në përmirësimin e qeverisjes me financa publike dhe sidomos në rritjen e performancës së reformave strukturore, që duhet t'i realizojë Kosova në vitet e ardhshme", shpjegon Sadiku. Megjithatë, aktualisht, sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, Kosova nuk ka nevojë për kredi të buta. Guvernatori i BQK-së thekson se tërheqja e këtyre kredive nga FMN-ja do të bëhet varësisht nga zhvillimi i projekteve zhvillimore të Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat. "Fakti i anëtarësimit në FMN krijon një besueshmëri të madhe tek të gjitha institucionet tjera financiare dhe te komuniteti i biznesit. Ne presim që të fillojnë më fuqishëm investimet e jashtme të drejtpërdrejta në Kosovë, që ne konsiderojmë se janë faktorët kryesorë në të ardhmen", thotë ai. Duke pasur parasysh parametrat e përgjithshëm makroekonomikë të Kosovës dhe se stabiliteti i sistemit financiar është i qëndrueshëm, zoti Rexhepi thekson se për dallim nga vendet e rajonit, Kosova aktualisht nuk ka nevojë për burime shtesë për ruajtjen e bilanceve të saj. Sidoqoftë, nëse do të parashtrohet nevoja e Kosovës për ndihmë nga FMN-ja, qasja në mjetet e Fondit thuhet se do të jetë shumë më e lehtë.

NOA-INA

Â

Â

Â

Â

Â

Â

Â

Â

Â

KOMENTE