English

Planet që do të sjellin më në fund jetë të drejtë për emigrantët

Nga Edi Rama*

Është kënaqësi, është privilegj që të kesh mundësinë të bësh diçka dhe ta bësh këtë duke patur në dorë një instrument siç është politika.Â

Politika për shumë vite, 18 vjet me radhë, na ka dhënë shumë arsye për t'u ndarë, për të qëndruar me kurriz nga njëri-tjetri, për ta parë njëri-tjetrin si një problem dhe jo si një fuqi të shtuar për të zgjidhur problemet.

Prej 18 vjetësh politika i ka nxjerrë njerëzit jashtë saj dhe është futur brenda njerëzve, duke bërë të pamundura shumë gjëra që janë jo vetëm të mundura, por janë edhe të domosdoshme për një shoqëri dinjitoze, evropiane. Një nga këto domosdoshmëri, është pa dyshim pjesëmarrja e të gjithëve, pavarësisht moshës, gjinisë, prejardhjes, vendndodhjes, në procesin më thelbësor të demokracisë, që janë zgjedhjet.Â

Prej 18 vjetësh janë të zgjedhurit dhe jo zgjedhësit qendra e gravitetit të politikës dhe këtë qendër duam të ndryshojmë ne, sepse besojmë që arsyeja pse bëjmë zgjedhje, janë zgjedhësit, janë problemet, aspiratat dhe ëndrrat e tyre dhe jo të zgjedhurit, të cilët në një demokraci të shëndetshme, duhet thjesht dhe vetëm të përfaqësojnë me dinjitet zgjedhësit e tyre.Â

Sot, unë kam ardhur këtu me kënaqësi për t'ju përgjigjur një ftesë të bërë nga Erioni dhe G99, në funksion të një hapi të domosdoshëm, për t'i dhënë më shumë dinjitet shoqërisë shqiptare dhe për të vendosur në vend një të drejtë të mohuar prej 18 vjetësh, që është e drejta për votim e atyre që janë kontributorët më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare, emigrantët dhe emigrantet.Â

Flasim për sipërmarrjen, për investimet, për domosdoshmërinë që sa më shumë kompani dhe sa më shumë sipërmarrës të huaj të vijnë dhe të investojnë direkt në vendin tonë. Por, asnjëherë nuk është mjaft se më shumë se sa investimet e huaja direkte për Shqipërinë çdo vit, janë kontributet direkte të emigrantëve përmes familjeve të tyre. Vetëm kjo mjafton për të kuptuar se sa e padrejtë është lënia jashtë procesit të vendimmarrjes dhe mohimit të të drejtës për të votuar, të këtyre njerëzve, të këtyre shqiptarëve e shqiptareve, që për 18 vjet punojnë shpesh herë edhe si skllevër në emigracion dhe prej 18 vjetësh, me punën e tyre të ndershme, i kontribuojnë ekonomisë shqiptare më shumë se sa investimet e huaja direkte çdo vit.Â

Po të mos ishin motrat dhe vëllezërit tanë në emigracion, ekonomia shqiptare do të ishte asfiksuar, familjet shqiptare do ta kishin të pamundur të mbijetonin. Gjithashtu familjet e fshatit do ta kishin absolutisht të pakapërcyeshëm kufirin e pamundësisë për të mbajtur frymën gjallë. Sot çdo emigrant ka një histori për të treguar lidhur me kontributin e vet drejtpërdrejt për atdheun e tij. Ndërkohë, që politika nuk ka asnjë histori për të treguar lidhur me kontributin për të mundësuar që këta shqiptar e këto shqiptare, të kenë të drejtën për të votuar, të kenë respektin e merituar nga shteti i tyre, të kenë shërbimet e merituara në ato vende ku jetojnë. Jo rrallë atyre u duhet të ballafaqohen me një burokraci shqiptare ambasadash, që është e denjë për romane absurde.Â

Ne jemi të vetëdijshëm se emigrantët janë një aleat strategjik, në një kohë kur Shqipëria është ende e brishtë dhe kur për familjet shqiptare, kontributi i këtyre njerëzve është jetik. Ne jemi absolutisht të vetëdijshëm, se është koha për një politikë të re ndryshimi edhe me emigrantët e emigrantet, që u jep atyre të drejtën e votës, por njëkohësisht që u jep atyre edhe disa mundësi të tjera për të rritur fëmijët e tyre me gjuhën shqipe, përmes një kanali të dytë të televizionit publik, i cili një ndër programet kryesore dhe të përditshme, do të ketë programin për mësimin e gjuhës shqipe në çdo cep të globit ku jetojnë shqiptarë, që do të duan t'i rritin fëmijët me gjuhën shqipe.Â

U bë 18 vjet që këta njerëz të punës, këta njerëz të veprave, që kanë afirmuar në të gjithë botën, një të vërtetë të thjeshtë, se ne shqiptarët nuk jemi më pak të mençur, as më pak të vullnetshëm, as më pak të gatshëm për të bërë sakrifica siç janë fqinjët tanë, apo evropianët e familjes ku duam të integrohemi, kërkojnë të trajtohen me dinjitetin që trajtohen në sportelet e shteteve ku jetojnë, edhe në sportelin e ambasadës apo konsullatës shqiptare.Â

Ende sot pas 18 vjetësh, nuk e kanë këtë trajtim dinjitoz, por përkundrazi, kur duhet të trokasin në dyert e ambasadës, u duhet të përjetojnë një kthim mbrapa në histori dhe të përballojnë burokraci.

Politika jonë e re e ndryshimit, do të synojë dhe do të realizojë transformimin e shërbimeve në ambasada dhe konsullata për shqiptarët e shqiptaret, në shërbimet e standardeve evropiane të njëjta me ato shërbime që motrat dhe vëllezërit tanë marrin në sportelet e atyre vendeve ku jetojnë, si qytetarë dinjitoz të atyre vendeve. Është e papërfytyrueshme, që në shekullin e 21-të, në kohën e teknologjisë së lartë, emigrantët të detyrohen të marrin rrugën, të lënë punën, të privojnë veten dhe familjen e tyre nga të ardhurat e shumë ditëve punë, për ta bërë aplikimin për pasaportë këtu në Shqipëri.Â

Këtë, ne do ta ndryshojmë dhe me politikën tonë të re të ndryshimit. Ne do të bëjmë të mundur që në një sërë sportelesh kryesore, në Evropë, Amerikë, Kanada, emigrantët e emigrantet shqiptarë të mund të aplikojnë dhe të marrin pasaportën biometrike. Â

Është nga ana tjetër e domosdoshme, që i gjithë mundi i tyre, për efekt pensioni, të njihet përmes marrëveshjes dypalëshe mes vendit tonë dhe Greqisë, mes vendit tonë dhe Italisë.Â

Ne do të bëjmë një politikë të re ndryshimi edhe në këtë aspekt dhe do të bëjmë marrëveshje dypalëshe për sigurimet shoqërore të të gjithë emigrantëve shqiptar, të cilët nuk do të humbin asnjë ditë pune lidhur me sigurimet shoqërore dhe pensionin. Â

Është e domosdoshme, që në të gjithë këtë proces ne t'i japim kësaj marrëdhënie, një dinjitet të munguar prej 18 vjetësh, ne t'i japim kësaj marrëdhënie një fuqi të re, dhe të mos i shohim emigrantët dhe emigrantet thjeshtë si ndihmë për mbijetesën për familjet e tyre, por t'i shohim edhe si burim potencial investimesh, duke filluar në radhë të parë nga fshati.Â

Për këtë arsye, në programin tonë, ne kemi një paketë stimuluese për investimet në ekonominë rurale të të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që çojnë kursimet e tyre drejt fshatit ku jeton familja e tyre.Â

Ne mund ta luftojmë varfërinë në fshat, përmes kësaj aleance, me një efektshmëri që sot nuk mund të imagjinohet. Ne mund të bëjmë të mundura transformime në ekonominë e fshatit, përmes kësaj aleance dhe duke u krijuar kushte të reja emigrantëve që sot nuk mund të imagjinohen.Â

Ne mund të orientojmë përmes një politike të re ndryshimi, kursimet si investime për biznesin agrar dhe drejtpërdrejtë për mirëqenien e familjeve fermere në fshat. Për këtë, ne kemi një paketë stimulimi, dhe besojmë se është koha që mes Shqipërisë së shqiptarëve dhe shqiptareve që jetojnë këtu, dhe Shqipërisë së shqiptarëve dhe shqiptareve që jetojnë jashtë, të lind një sinergji e re, të lind një marrëdhënie e re, të lind një aleancë e re, që është aleanca e zemrave dhe mendjeve që e duan Shqipërinë si gjithë Evropa. Që është aleanca e zemrave dhe mendjeve që mund ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Evropa. Që është aleanca e zemrave dhe mendjeve që funksionojnë si zemrat dhe mendjet që ndërtuan Evropën.Â

Unë jam i bindur, se duke u bashkuar me propozimin dhe duke përqafuar plotësisht alternativën e Grupimit 99, për të garantuar pjesëmarrjen e emigrantëve në procesin jetik të demokracisë, që janë zgjedhjet përmes votimit jashtë atdheut, ne hapim një faqe të re në historinë e demokracisë shqiptare. Hapim një faqe të re në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë së shqiptarëve që jetojnë këtu dhe Shqipërisë së shqiptarëve që jetojnë atje. Që është e njëjta Shqipëri dhe pikërisht për këtë arsye, duhet të udhëhiqet jo vetëm nga vullneti i atyre që janë këtu, por edhe nga vullneti i atyre që janë andej. Kjo duhet të jetë fryt i përpjekjes së përbashkët të të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen.Â

Asgjë nuk na pengon në realizimin e kësaj aspirate të kahershme, të atyre që e lanë Shqipërinë për të zbuluar lirinë dhe demokracinë, apo të atyre që më pas e braktisën Shqipërinë dhe vazhdojnë ta braktisin, për të zbuluar një botë mundësish të pafundme, sepse për ne kjo është absolutisht themelore.Â

Duke e mbyllur, unë dua të garantoj, se qysh në ditët e para të qeverisë tonë, ne do të fillojmë punën për ta kthyer alternativën e Grupimit 99 për votën e emigrantëve, në një projekt të qartë dhe të përcaktuar, të cilin të gjithë aleatët e koalicionit tonë të bashkimit të ri për ndryshim, do ta njohin si projektin e tyre të përbashkët. Do ta mbështetin si projektin e tyre të përbashkët dhe do ta inkurajojnë përmes një organizimi tërësor në të gjithë territoret ku ka shqiptarë e shqiptare, për të nxitur të gjitha forcat e tjera politike, që të bëhen pjesë e këtij projekti dhe së bashku t'ju japim mundësi të gjithëve, qofshin të majtë, qofshin të djathtë, apo çfarëdo qofshin, që me votën e tyre, të thonë fjalën e tyre për një Shqipëri që është e tyre sa është edhe e jona. Për një Shqipëri, për të cilën ata investojnë po aq sa investojmë edhe të gjithë ne. Për një Shqipëri që sot nuk do ta mbante dot veten në këmbë pa ata, shqiptarët e shqiptaret që rropaten çdo ditë në rrugët e emigracionit, që arrijnë të bëjnë sukses dhe emër të mirë kudo nëpër botë, që pasi kanë kaluar një kalvar të stërgjatur paragjykimesh, që nga ato raciale, deri tek ato më provinciale, nëpër periferitë e Evropës dhe botës, sot janë garancia më solide e familjeve që nuk arrijnë dot fundin e muajit.

(*) Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama sot në aktivitetin për emigrantët

KOMENTE