Korçë, 7 maj NOA - Anëtari i Asamblesë Ben Blushi, deputeti Alfred Dalipi dhe nënsekretari për koordinimin, Arben Ahmetaj kanë qenë në bashkëbisedim me banorë të qarkut Korçë, në një fshat të këtij qarku.
Gjatë bashkëbisedimit atje drejtuesit e lartë të PS kanë vënë theksin tek mungesa e një tregu për produktet bujqësore.
"Qeveria e Sali Berishës nuk mendon asnjë ditë për fshatin, s'mendon asnjë ditë se si të lidhi tokën me njeriun e këto me tregun bujqësor" tha Blushi.
Blushi duke iu referuar dëshmive të banorëve të Korçës, u shpreh se "s'mund të kalben, mollë apo patatet në tokat e fermerëve të kësaj zone, pasi askush nuk mendon për fermerin.
‘Ne do të zgjidhim këtë situatë, pasi në programin tonë në kemi rrugëdalje për të gjitha këto probleme tuajat, që në fakt nuk janë vetëm të një fshati, por janë dhe probleme të qytetit, pasi çmimet në qytet shtrenjtohen çdo ditë, duke pasur një fshat që hedh apo kalb produktet e tij pasi nuk i çon dot në tryezat e qytetit" shtoi më tej Blushi.
Sipas tij në këto vite jo vetëm fshati është varfëruar, por dhe qyteti është varfëruar.
Nëse qyteti ka varfëri, qyteti nuk blen në fshat. Duke u varfëruar edhe qyteti edhe fshati, e gjithë Shqipëria po kërruset.
"Kjo është një qeveri e cila e ka injoruar fshatin. Është një qeveri e cila mburret se po shtron rrugët e Shqipërisë me asfalt. Sigurisht kjo është një gënjeshtër, sepse ne kalojmë çdo ditë në rrugët tona dhe rrugët nuk janë me asfalt. Por, edhe aty ku ka asfalt, e ka shtruar me buxhetin e shtetit, me taksat publike, me ato ilaçet që deri para 4 vitesh subvencionoheshin dhe ishin më lirë. Me naftën në bujqësi që deri para disa vitesh ishte më lirë dhe sot është tre herë më shtrenjtë. I ka marrë paratë duke ju rritur taksat dhe duke injoruar fshatin." deklaruan përfaqësuesit e PS-së.
k.k/NOA