Tiranë, 7 maj NOA - Partia Socialiste denoncoi një sërë pengesash artificiale që zyrat e postës shqiptare nxjerrin për personat të cilët nuk e kanë emrin në listë dhe aplikojnë për letërnjoftime elektronike.
"Dje ishin të shumtë qytetarët të cilëve u kërkohej një vërtetim nga Policia e Shtetit në mënyrë që të pajiseshin me letërnjoftime elektronike, ndërkohë që vendimi i qeverisë për të gjithë ata persona të cilët nuk e kanë emrin në listë, parashikon vetëm nënshkrimin e një deklarate përpara aplikimit' u shpreh zëdhënësja e Kryesisë së PS, Mimi Kodheli.
"Sot, edhe pas denoncimit të Partisë Socialiste, situata vazhdon të mbetet kaotike. Në shumë komuna të vendit, zyrat postare ende nuk kanë filluar të shesin kuponët me tarifat e reja. Nuk ka asnjë informacion publik nga qeveria mbi mbarëvajtjen e procesit të aplikimit të shtetasve shqiptarë me letërnjoftime elektronike, pas miratimit të tarifave të reja" shtoi me tej Kodheli. Â
Sipas saj, Partia Socialiste, përsërit edhe njëherë qëndrimin e saj dhe ftesën për të gjithë votuesit shqiptarë të pa pajisur me pasaportë, për të aplikuar një orë e më parë dhe për të ruajtur faturën.
"Qeveria e re pas 28 qershorit me Edi Ramën kryeministër, do të rimbursojë këtë taksë vote, e cila në vitin 2009 nuk mund të mbajë shqiptarët larg kutive të votimit" përfundoi zëdhënësja e PS-së.
k.k/NOA