Shkup, 7 maj, NOA - Rrjeti i organizatave shqiptare ka reaguar ndaj veprimeve të autoriteteve shtetërore të Maqedonisë, pas rastit të fundit të ndalimit të udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në vendkalimin kufitar Bllacë.
"Akoma edhe sot në mënyrë sistematike shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova që udhëtojnë në Maqedoni ndalohen dhe keqtrajtohen nga strukturat e këtij shteti. Rasti më i fundit ishte ai i ndalimit nga forcat e sigurisë maqedonase të udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kufirin midis Kosovës dhe IRJM-së, më datë 5 maj 2009 dhe mbajtja e tij disa orë i arrestuar, gjoja për arsye sigurie. Kurti i cili do të merrte pjesë në një festim të organizatës Zgjohu! në Shkup, ka udhëtuar vazhdimisht në këtë shtet pa lënë kurrë shkak që të justifikonte ndalimin e tij", thuhet në reagimin e këtyre organizatave.
Siç bëhet e ditur, një rast i ngjashëm ka ndodhur disa kohë më parë edhe me kryetarin e Klubit Kombëtar, Lizandër Saraçi, i cili po udhëtonte për një vizitë private në IRJM, por u ndalua dhe u keqtrajtua nga policia kufitare maqedonase pa asnjë shkak, por vetëm se mbante veshur një bluzë me flamurin shqiptar!
"Ndalimi dhe presioni i vazhdueshëm që shteti maqedonas i bën të gjithë atyre që ngrenë zërin dhe kërkojnë të ndërgjegjësojnë shqiptarët për të drejtat e tyre, tregon qartë se ata e kanë kuptuar se blerja me poste e politikanëve shqiptarë atje, nuk mjafton për t'i përgjumur shqiptarët dhe se ata i tremben bashkëpunimit mbarëshqiptar", thuhet në reagim.
Ndër të tjera, rrjeti i organizatave shqiptare u bën thirrje faktorëve politikë të shqiptarëve në IRJM që t'u japin fund grindjeve për poste dhe të përqendrohen për të mbrojtur pa hezitim jo vetëm identitetin dhe interesat e tyre kombëtare, por edhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve kur ato cenohen nga strukturat shtetërore të Maqedoni.
NOA-INA