Uashington, 7 maj, NOA - Qeveria amerikane pritet të njoftojë sot rezultatet e të ashtuquajturit "test i stresit" për 19 bankat më të mëdha të vendit, ndërsa ato të publikuara dje nga media, tregojnë se të paktën gjysma e këtyre 19 bankave, nuk dispozojnë rezervat e mjaftueshme në fonde për të përballuar një këqësim të mëtejshëm të ekonomisë.
Testet synojnë të përcaktojnë nëse bankat janë të forta sa duhet për t'i qëndruar krizës financiare pa ndihmën e taksapaguesve. Ndërkaq, qeveria amerikane u ka dhënë shumë bankave ndihma në fonde që kapin dhjetëra miliarda dollarë.Â
Ndërkaq, Dhoma amerikane e Përfaqësuesve pritet të miratojë një projektligj që synon krijimin e një komisioni hetimor të pavarur për të shqyrtuar shkaqet e krizës ekonomike, sipas modelit të atij të krijuar pas atentateve të 11 shtatorit 2001.
Ndërsa një studim i fundit i realizuar nga një organizatë amerikane e gazetarisë investigative, "Qendra për Integritet Publik", hedh idenë se bankat amerikane dhe ato evropiane, nuk është e vërtetë se kanë qenë viktima të krizës financiare që shpërtheu në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit të kaluar, por janë fajtore se e kanë provokuar qëllimisht atë.
Qendra për Integritet Publik e vlerëson në 25 numrin e organizmave të kredive të pasurive të patundshme, kreditë e të cilave janë në origjinë të krizës së tregut të pasurive të patundshme që shpërtheu në 2007-n dhe që shkaktoi krizën ekonomike. Pjesa më e madhe e këtyre organizmave ishin të varura nga bankat amerikane dhe evropiane ose më mirë nuk mund të jepnin kredi me rreziqe të pranuara, të quajtura "subprime" pa pëlqimin e bankave, njoftoi kjo organizatë. "Megabankat që financuan industrinë e këtyre kredive nuk ishin viktimë e një kolapsi të paparashikuar të sektorit të financave, siç është thënë ndonjëherë", tha drejtori ekzekutiv i organizatës, Bill Buzenberg.
n.e/NOA