English

Veliaj dhe Rama zyrtarizojnë konsensusin për projektin e G99 për votën e emigrantëve

Tiranë, 7 maj NOA - Në një aktivitet të organizuar sot paradite liderët e G99 dhe PS-së, Erion Veliaj dhe Edi Rama prezantuan publikisht angazhimin e koalicionit kryesor të opozitës për të mundësuar votën e emigrantëve.

Para qindra qytetarëve të mbledhur në këtë rast, shumë prej të cilëve të afërm të emigrantëve si dhe studentë që jetojnë jashtë Shqipërisë, Veliaj dhe Rama shpjeguan rëndësinë që ka vota e atyre që përbëjnë një të tretën e banorëve të vendit si një mundësi demokratike për përfshirje në vendimmarrje.

Veliaj tha se vota e emigrantëve ka qenë projekti i parë i G99 dhe një nga kushtet primare për pjesëmarrjen në koalicion me PS.

"Sot ndeshemi me një qeveri e cila për ata që jetojnë brenda kufijve aplikon taksën e votës ndërkohë që për ata që ndodhen jashtë kufijve mohon krejtësisht të drejtën e votës. Pavarësisht diferencave të panumërta që na ndajnë me qeverinë e zotit Berisha ne tentuam që projektin tonë për të mundësuar votën e bashkatdhetarëve tanë ta negocionim duke e shpënë dhe në parlament por përgjigja që morëm ishte heshtje e më pas refuzim" u shpreh Veliaj.

Ndërkohë që lideri i forcës kryesore opozitare në vend, Edi Rama shprehu përkrahjen e plotë për platformën e G99 dhe e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm në rikonceptimin e marrëdhënieve të politikës me qytetarët.

k.k/NOA

KOMENTE