English

Vendosen kriteret kur gardianët mund të hapin zjarr ndaj të burgosurve

Tiranë, 7 maj NOA - Përdorimi armëve të zjarrit nga gardianët (punonjësit e sigurisë) në burgjet e vendit, përmes një vendimi që ka miratuar së fundi qeveria, bëhet i ligjshëm me disa kushte që janë përfshirë në një vendim të posaçëm.

Burime zyrtare nga kabineti qeveritar thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA se janë miratuar me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, llojet e armëve në përdorim të Policisë së Burgjeve.

Sipas vendimit, punonjësit e Policisë së Burgjeve pajisen me armatim personal (brezi), kurse plotësimi organik me armatim tjetër bëhet në përputhje me funksionet e strukturave të Policisë së Burgjeve.

Normat e plotësimit me armatim e municion miratohen me urdhër të veçantë të ministrit të Drejtësisë.

Ndërsa përdorimi i armëve nga punonjësit e Policisë së Burgjeve autorizohet në sigurimin e ruajtjes perimetrike në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe objektet e tjera, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Po ashtu lejohet përdorimi në sigurimin e ruajtjes perimetrike, brenda apo jashtë institucioneve të përmendura, në raste të jashtëzakonshme, të fatkeqësive e të fenomeneve natyrore, me synim sigurimin e jetës e të shëndetit të personave të paraburgosur apo të burgosur.

Përdorimi i armëve të zjarrit nga gardianët, lejohet edhe në transferimin dhe shoqërimin e të burgosurve e të të paraburgosurve, për sigurimin e ruajtjes fizike, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale penale, gjatë transferimeve, lëvizjeve jashtë institucionit dhe në rastet kur ata kanë leje për lëvizje jashtë institucionit.

Sipas vendimit, armët e zjarrit lejohen të përdoren edhe për sigurimin e ruajtjes të së paraburgosurve e të burgosurve në spitale ose qendra të tjera mjekësore.

"Punonjësit e Policisë së Burgjeve, që veprojnë në regjimin e brendshëm, në kontakt me të paraburgosurit apo të burgosurit, bëjnë dorëzimin e armatimit përpara futjes në regjim", - thuhet në vendim.

Ndërsa sqarohet se punonjësit e strukturave të Policisë së Burgjeve, që kryejnë detyrat e parashikuara në pikën 4, të këtij vendimi, i përdorin armët në përputhje me funksionet e tyre, veçanërisht në këto raste:

a. Kur personat e dënuar, të arrestuar a të ndaluar përpiqen të largohen nga vendet e kryerjes së dënimit, dhomat e paraburgimit ose vendet ku mbahen, për t'u shoqëruar më pas në institucione të tjera.

b. Kur persona të ndryshëm përpiqen të lirojnë, me dhunë ose me armë, të dënuarit a të paraburgosurit nga vendet e kryerjes së dënimit, dhomat e paraburgimit, vendet ku mbahen, për t'u shoqëruar më pas në institucione të tjera.

c. Kur punonjësit e Policisë së Burgjeve ose persona të tretë sulmohen me armë a mjete të tjera të rrezikshme për jetën dhe sulmi nuk mund të zmbrapset me mjete të tjera.

ç) Në raste të tjera kur vlerësohet se paraqesin rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e të burgosurve, të të paraburgosurve, punonjësve të Policisë së Burgjeve apo të personave të tjerë.

e.l/NOA

KOMENTE