Vlorë, 7 maj NOA - Kreu i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi ka inspektuar ditën e sotme investimet e bëra nga KESH në Vlorë.
Vizitën e parë Bojaxhi e zhvilloi në zonën e fshatit Bishan, ku janë mbjellë për llogari të KESH rreth 5 mijë pemë, të cilat janë pjesë e projektit për zëvendësimin e pishave të prera në pyll të sodës, në sipërfaqen ku u ndërtua TEC-i.
Vizita u përqendrua më pas në njohjen e ecurisë së punimeve të TEC-it të Vlorës, në njohjen e aspekteve mjedisore të projektit, dhe në disa elemente me karakter social që projekti synon të zhvillojë.
"Ecuria e projektit në nivel teknik është në ritmin e parashikuar në skedul. Projekti është në fazën e kolaudimeve të fundit teknike, dhe turbina e TEC parashikohet të vihet ne punë në javët e para të Qershorit" u shpreh Bojaxhi.
Sipas tij impianti i TEC-it është modern dhe i nivelit të përparuar ndërkombëtar. "Administrata e re e TEC-it, me mbështetjen e KESH, synon të ketë një marrëdhënie shumë të hapur dhe transparente me komunitetin e Vlorës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në këtë qytet, duke ndërtuar një partneritet serioz me qëllim monitorimin e mjedisit dhe mbrojtjen e vlerave mjedisore të Vlorës" shtoi me tej Bojaxhi.
k.k/NOA