Tiranë, 7 maj, NOA - Nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar në muajin prill, Partia Demokratike do t'i fitonte ato, duke kryesuar me dy pikë para Partisë Socialiste. Ky është rezultati që paraqitet nga sondazhi i ri i "Zogby", i cili për këtë muaj ka përmbysur rezultatin me të cilin ishim mësuar të dëgjonim prej tij deri tani.
Për tre herë me radhë, "Zogby" në fakt, ka renditur të parën në garë Partinë Socialiste si fituese të zgjedhjeve, por këtë radhë Partia Demokratike e ka parakaluar atë. Sipas sondazhit të ri, Partia Demokratike ka marrë 38 për qind të votave të shqiptarëve, ndërsa Partia Socialiste vetëm 36 për qind. Nga ana tjetër, sondazhi tregon sesi 10 për qind e të pyeturve janë shprehur të pavendosur për cilën forcë politike do të votojnë.
Llogaritur si koalicion, ai i majtë ka marrë më shumë vota se koalicioni i djathtë. Ndërsa sa u përket subjekteve të tjera zgjedhore, rezultatet e këtij sondazhi rendisin Lëvizjen Socialiste për Integrim, të marrë 6 për qind të votave të elektoratit shqiptar, G99-ën 2 për qind, Partia Republikane 1 për qind dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, 1 për qind.
Në këtë mënyrë, sondazhi i djeshëm i paraqitur në televizionin "Top-Channel" ka përmbysur rezultatin zgjedhor të parashikuar dhe publikuar një muaj më parë, sipas të cilit Partia Socialiste kishte 38 për qind të votave të elektoratit, ndërsa Partia Demokratike 36 për qind. Për sa u përket çështjeve kryesore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, të pyeturit kanë renditur në vend të parë papunësinë me 66 për qind, e ndjekur nga varfëria me 39 për qind, ekonomia me 63 për qind, inflacioni 29 për qind dhe korrupsioni qeveritar me 25 për qind.
n.e/NOA
Â
Â