English

Asambleja e Partisë Socialiste, diskuton sot mbi kriteret për kandidatët në lista

Tiranë, 8 maj, NOA - Asambleja Kombëtare e Partisë socialiste do të mblidhet sot në një takim të posaçëm gjatë të cilit ka si objektiv që të miratojë kriteret e përzgje-dhjes së kandidatëve për deputetë. Në fakt, lista e kandiodatëve thuajse është e gjitha gati, e përgatitur më parë nga kryesocialisti Rama, i cili gjithë këtë kohë ia ka kushtuar reflektimit dhe zgjedhjes së emrave që do të përfshijë në to.

Por bëhet e ditur gjithsesi, se mbledhja e sotme do të shërbejë për të miratuar  formalisht kriteret.

Ky rregull i domosdoshëm buron nga statuti i Partisë Socialiste dhe kryesocoalisti Rama, megjithë listën që mund ta ketë hartuar me kohë, nuk mund ta shmangë dot si hap zyrtar që ka të bëjë me përmbylljen e një procedure.

Sipas rendit të ditës të miratuar nga kryesia, Asambleja Kombëtare do të diskutojë edhe mbi tezat kryesore të programit.

Ndërkaq, bëhet e ditur se Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste duhet të caktojë sot edhe datën për mbledhjen e Kongresit të partisë. Ky kongres parazgjedhor pritet të miratojë edhe programin qeverisës dhe listat e kandidatëve, të paktën nga ajo çfarë deklarohet nga drejtuesit socialistë.

Kongresi është ai që do të përcaktojë në fund koalicionet parazgjedhore të Partisë Socialiste, se me kë do të bashkohet ajo për të garuar në zgjedhjet e 28 qershorit.

n.e/NOA

KOMENTE