Prishtinë, 8 maj, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Kosovë, për ditën e Premte, 08 Maj 2009.
Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit.
Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.
Gripi i derrave dhe tema të kronikës si zhvillimet në
Policinë e Kosovës pas një rasti kur nga dhoma e dëshmive ishin vjedhur 47 kg drogë e monedha të ndryshme, janë sot, çështjet qendrore të shtypit kosovar. Theksi i vështrimeve lidhur me këto zhvillime tani përqendrohet kryesisht tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sheremet Ahmeti. "Sheremet Ahmeti është dashur të shkojë edhe më herët", shkruan "Zëri", duke cituar kryetarin e Komisionit parlamentar për siguri, Rrestem Mustafa. "Vjedhja ka ndodhur në komandën kryesore të Policisë, në shtëpinë të cilën e udhëheq Sheremet Ahmeti. Kjo s'ka si të mos jetë përgjegjësi edhe e tij. Aq më shumë që deri më tash nuk ka diçka konkrete në zbardhjen e kësaj vjedhjeje, që është turpi i Policisë së Kosovës", citohet të ketë thënë deputeti Rrustem Mustafa. Ndërkaq, "Koha Ditore" po ashtu në artikullin kryesor të ditës shkruan se "Ahmeti e ka ditur se dhomat e dëshmive s'janë të sigurta". Menaxherët e policisë dhe Ministria e Brendshme, sipas gazetës, kanë qenë të njoftuar se niveli i sigurisë në dhomat e dëshmive është i ultë, mirëpo rekomandimet e bëra për rritjen e nivelit të sigurisë, thuhet se ishin injoruar. Ndërkaq, gazeta "Lajm" shkruan se kërkesa për dorëheqje në kreun e policisë mbetet vetëm kërkesë. "S'ka dorëheqje" thuhet në titullin e gazetës, ku, mes tjerash, citohet ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, se hetimet përfundimtare do të tregojnë përgjegjësinë e njerëzve. Çështja e liberalizimit të vizave të Kosovës me BE-në po ashtu është një prej temave që shtjellohet në shtypin e sotëm. "Liberalizimi i vizave dhe gabimi i kosovarëve me pasaportat" titullohet editoriali i gazetës "Kosova Sot". Aty trajtohet sidomos çështja e pasaportës biometrike, të cilën Kosova nuk e ka. Përse investohen të gjitha këto shuma parash për dokumente që duhet të ndërrohen shumë shpejt, shtron çështjen editoriali i gazetës. Aty rikujtohet se Kosova kishte mjete buxhetore, marrë parasysh suficitin që rezultoi në fund të vitit. Vendimi për të mos lëshuar pasaporta biometrike ishte gabim i madh politik dhe humbje financiare për shtetin, vijon editoriali. Aty thuhet se pasaporta me çip mbetet kushti i parë i vendeve që synojnë të përfshihen në zonën Schengen të liberalizimit të vizave. Ndërkaq, "Koha Ditore" shkruan se vendi më i izoluar në Ballkan synon lëvizjen e lirë me BE-në. Edhe pse ka konstatuar se mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së paraqet problem të madh, Qeveria ka miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e kritereve që parasheh Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, shkruan "Koha Ditore". Aty rikujtohen shumë pengesa që Kosova mund të ketë në këtë proces, filluar nga ato politike të mosnjohjes nga pese vendet e BE-së, e deri te dokumentet dhe siguria e kufijve. Dhe, në fund, gazeta "Zëri" shkruan se Organizata Botërore e Shëndetësisë, pas analizave të bëra, ka konstatuar se Valentina Demaj nuk ka vdekur nga gripi i derrave. Andaj, me konstatimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë del se në Kosovë nuk ka raste të dyshimta të kësaj sëmundjeje.