English

Krijimet artistike shqiptare mbajtën gjallë identitetin e kombit shqiptar

Tiranë, 8 maj NOA - Përurimi i linjës muzeale me temë "120 vjet art dhe skulpturë në Shqipëri", u organizua mbrëmjen e së Enjtes, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Aktiviteti u mbështet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Fondacionin për Artet Pamore pa Kufi (FAVA) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve.

Në ceremoni mori pjesë Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, si dhe ministri i MTKRS, Ardian Turku.

Berisha, vlerësoi organizatorët për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm, ndërsa u shpreh se krijimet artistike shqiptare kanë kontribuar në shfaqjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë kombëtar.

"Ju përgëzoj për këtë projekt kaq të rëndësishëm që keni realizuar duke organizuar Muzeun e Arteve Pamore shqiptare që nga fillimet e tyre, në shekulli XIX, e deri më sot", - u shpreh Berisha.

Ai veçoi se krijimet e mëdha të shqiptarëve në shekuj, peisazhet e këtij vendi, veshjet e bukura të burrave dhe grave, por edhe karakteret e tyre kanë frymëzuar krijues gjenialë si Edward Lear, Delakrua dhe shumë e shumë të tjerë.

Nuk kam dyshim se këto kanë frymëzuar dhe do të frymëzojnë edhe gjenitë krijues shqiptarë, - theksoi kryeministri.

Ai u tha gjithashtu organizatorëve se "me këtë linjë të re ekspozite ju i jepni mundësinë shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj që të njihen me krijimet shqiptare, të cilat nuk kanë munguar dhe me të cilat kombi ynë ka mbajtur gjallë identitetin e tij".

Ndërsa më tej bëri një paralelizëm interesant: "Në rast se do ta përfytyronim identitetin si një diamant me shumë shtresa, në thelbin e tij do të qëndronte kultura. Dhe në këtë kontekst, të gjitha këto krijime kanë kontribuar në shfaqjen, në mbrojtjen dhe në zhvillimin e identitetit kombëtar".

Më tej, Kryeministri shprehu mirënjohjen për kontributin e Kryetares së FAVA-s znj. Pamela Grifinn, për përkushtimin e saj fisnik në organizimin e këtij projekti, i cili qëndron ndër projektet më të rëndësishme në historikun e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Kryeministri përgëzoi dhe drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve z. Rubens Shima për përkushtimin që ka treguar në zbatimin e këtij projekti.

Linja e re muzeale përfshin 6 mjedise të përshtatura për funksionimin e muzeut historik të artit, ku janë ekspozuar vepra artistike në pikturë dhe skulpturë prej viteve 1883-2000, si një rrugëtim i arteve pamore në Shqipëri.

Koleksioni i prezantuar sot përbëhet nga 184 vepra arti, të gjitha pjesë e koleksionit të trashëgueshëm të Galerisë Kombëtare të Arteve.

a.k/NOA

KOMENTE