English

Legalistët në Peshkopi, prezantojnë kandidatët për deputetë

Peshkopi, 8 maj NOA - Kryetari i partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu dhe drejtues të tjerë prezantuan në qytetin e Peshkopisë kandidatët Gazmend Lita dhe Lulzime Lela.

Këta, së bashku edhe me kandidatët e Bulqizës dhe Matit do të përfaqësojnë PLL në listën shumë-emërore të qarkut Dibër për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Lita është anëtar i Kryesisë së PLL dhe Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë, kryetar i degës së PLL Dibër dhe biznesmen i suksesshëm që prej më shumë se një viti është rikthyer në atdhe nga SHBA ku ka jetuar për një kohë të gjatë duke marrë një edukim dhe formim perëndimor.

Ndërsa Lela shquhet për vlerat intelektuale dhe së bashku me z. Lita janë përfaqësues edhe të vlerave më të mira të traditës dibrane, - vuri në dukje PLL.

Kryetari Ekrem Spahiu tha se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një garë politike ndërmjet modeleve dhe programeve qeverisëse, ku çdo parti do të vlerësohet mbi bazën e suksesit të saj, premtimeve të mbajtura, vlerave të individit dhe kontributeve të dhëna në zhvillimin e shtetit shqiptar.

Ai shtoi se "PLL ka të drejtën e plotë morale që të kërkojë votat e elektoratit shqiptar sepse është një parti me një program të pasur që i jep zgjidhje përfundimtare dhe të shpejtë çështjeve ende të pazgjidhura të shoqërisë shqiptare".

"Për më tepër, - vijoi Spahiu, - PLL është një parti që shquhet për seriozitetin e saj, korrektesën ndaj zgjedhësve dhe mbrojtjen e interesave të vendit dhe qytetarëve shqiptarë".

Këto ai i ilustroi me modelin qeverisës gjatë viteve 1928-1939 dhe kontributin aktual të PLL në qeverisjen qendrore dhe lokale.

Spahiu tha gjithashtu se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit elektoral ndërmjet PLL dhe PD si dhe pjesëmarrja edhe me partitë e tjera në koalicionin është një bashkim vlerash për t'i paraqitur elektoratit shqiptar alternativën më të mirë e cila do të jetë padyshim edhe alternativa fituese.

Kandidatët Lita dhe Lela shprehën angazhimin e tyre për të bashkëbiseduar me zgjedhësit në të gjithë rrethin e Dibrës me qëllim shpalosjen e programit elektoral të PLL si dhe garantuan të pranishmit për ndershmëri dhe përfaqësimin me dinjitet të gjithë trevën e Dibrës në parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë.

e.l/NOA

KOMENTE