Nga Rajmonda LajthiaÂ
Tiranë, 8 maj NOA - Brenda një ore, komisioni ë ekonomisë dhe financave miratoi vetëm me votat e mazhorancës marrjen e një borxhi prej 370 milion eurosh.
Pjesë e këtij borxhi është edhe kredia 250 milion euro, që ministria e Financave mori për investime.
Opozita braktisi komisionin me argumentin se janë shkelur procedurat e kuvendit dhe qeveria po rëndon konsumatorët vetëm me interesat e kredisë që duhet të paguajë. Drejtori i borxhit, në ministrinë e Financave Xhentil Demiraj u shpreh se: "Është arritur të sigurohet që në muajin maj të disbursohet një shumë prej 95 milion euro, ndërsa në muajin qershor 155 milion euro të tjera, pjesë kjo e kredisë tregtare".
Sipas tij borxhi është marrë për të mbuluar nevojat e buxhetit me investime kapitale. Por deputeti Erion Braçe reagoi ashpër lidhur me shkeljen e procedurave parlamentare të kësaj kredie. Sipas tij në datën 6 maj kjo hua u miratua në qeveri dhe në datën 8 maj kërkohet miratimi i saj në komision.
Ndërkohë që procedurat parlamentare kërkojnë që rendi kalendarik i projektligjeve duhet të miratohej në Konferencën e Kryetarëve, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Mbi të gjitha, deputeti socialist u shpreh kundër kësaj kredie edhe për shumën e madhe të interesit që shqiptarët duhet të paguajnë në të ardhmen.
Nga ana tjetër kryetari i komisionit të ekonomisë Edmond Spaho, e cilësoi të nevojshme marrjen e huas, për të mbajtur në ritëm rritjen e ekonomisë në këtë kohë krize.Â
Në total komisioni miratoi 6 marrëveshje huaje, të cilat kanë në thelb kredi që përfshijnë investimet publike, ndërtimin e rrugëve dytësore rurale si dhe garancinë që Banka Botërore dha për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Marrëveshjet e huamarrjes do të miratohen këtë të hënë në seancën e fundit të parlamentit.
r.l/k.k/NOAÂ