Tiranë, 8 maj NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me gazetar ku ka folur për çështjen e votës së emigrantëve.
"Sot pata dëshirë që ta bënim takimin këtu, në këto kushte, sepse besoj që vlen të trajtohet një çështje e veçantë, për të cilën folëm pak edhe dje, çështja e pjesëmarrjes së shqiptarëve jashtë atdheut në procesin politik dhe zgjedhor. Është një nga çështjet e vjetra dhe të pazgjidhura prej 18 vjetësh për një grupim shoqëror që është sa një popull, që është kontributori më i madh i ekonomisë shqiptare" u shpreh Rama.
Sipas tij emigrantët i japin ekonomisë shqiptare çdo vit më shumë se dyfishin e investimeve të huaja direkte dhe që sot e gjithë ditën është jashtë procesit politik.
"U bëj apel të gjithë shqiptarëve e shqiptareve në emigracion, që sigurisht në rast se do të vijnë, kjo do të jetë më e mira, por do të jetë po ashtu diçka e shkëlqyer për demokracinë dhe për fuqinë e vendimmarrjes të 28 qershorit në rast se secili prej tyre do të kapi telefonin dhe do të bëj qoftë dhe një mesazh të vetëm, për familjen, për të afërmit, për miqtë, për t'i nxitur drejt kutive të votimit. Për të kërkuar prej atyre që janë këtu që të shprehin vullnetin edhe për ata që s'janë" shtoi më tej kreu i PS-së Rama. Â
k.k/NOA