Gjirokastër, 8 maj NOA - Në rrethin e Gjirokastrës u zhvillua sot konkursi midis nxënësve të shkollave të mesme, "Vlera e Vërtetë e Parasë".
Ky konkurs është një iniciativë e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet të cilës synohet që të rinjtë të mësojnë e thellojnë njohuritë e tyre mbi Bankën Qendrore dhe politikën e saj monetare, nëpërmjet një mënyre argëtuese.
I zhvilluar për herë të parë gjatë vitit shkollor 2007-2008, këtë vit ai është shtrirë në 5 rrethe të vendit.
Në Gjirokastër morën pjesë 7 shkolla të mesme nga të cilat doli fituese shkolla "Siri Shapllo".
Konkursi u zhvillua në sallën e teatrit "Zihni Sako" të qytetit, ku ishin të pranishëm nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit, studentë të Universitetit të Gjirokastrës e familjarë të pjesëmarrësve.
Në përgjigje të interesimit të të pranishmëve, z. Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, shpjegoi rëndësinë e programeve të edukimit të publikut, të ideuara dhe të zbatuara nga Banka e Shqipërisë, 4 vitet e fundit.
Ai ka theksuar veçanërisht domosdoshmërinë e edukimit ekonomik dhe financiar të publikut në zhvillimin e ekonomisë së një vendi dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të tij.
"Sa më shumë njohuri të ketë publiku, aq më shumë do të rritet kërkesa e tij për produkte e shërbime. Rritja e kërkesës publike do të shtyjë institucionet financiare të përmirësojnë e zgjerojnë shërbimet e tyre, të krijojnë e hedhin në treg produkte të reja e të kërkojnë instrumente të reja për realizimin e tyre", - deklaroi Guvernatori.
Sipas tij, institucionet financiare nga ana e tyre, sa më shumë të sofistikohen, zgjerohen e shtohen aq më shumë do të nxisin publikun të mësojë rreth shërbimeve e produkteve që ato ofrojnë".
Për Fullanin, e gjitha kjo marrëdhënie funksionon në bazë të parimit të enëve komunikuese që rrisin nivelin e kaheve të ndryshme të të njëjtit objekt".
v.d/NOA