English

Berisha: Në mandatin e dytë, 3 herë më shumë se në 4 vitet që po mbyllim

Elbasan, 9 Maj/NOA Update- Në komunat e Dumresë dhe në Bashkinë e Belshit, qeveria ka investuar 1 miliardë e 324 milionë lekë, kundrejt 29 milionë lekë të investuara nga qeveria e mëparshme në 8 vjet.

Këto shifra paraqiti sot Kryeministri Sali Berisha i cili mori pjesë në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Belsh- Kuçovë, në Belsh.

Kjo rrugë ka një gjatësi 14 kilometra dhe realizohet me investimin e buxhetit të shtetit, me vlerë 600 milionë lekë.

Më pas, Berisha zhvilloi takimin me banorë të Belshit, në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon".

Ai u tha banorëve se investimi në zonat rurale të Shqipërisë, është një përparësi e qeverisë.

"Ju nuk do të ndiheni më të braktisur, sepse në konceptin tonë nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar me një fshat të prapambetur, nuk mund të ketë një barazi shoqërore në rast se ne nuk krijojmë, aty ku ju banoni, kushte të ngjashme me qytetin, në rast se ju nuk do të keni rrugë të asfaltuara, ujësjellësit dhe kanalizimet, nuk do të keni shkollat moderne, nuk do të keni shërbimet që meritoni", - deklaroi kryeministri, duke theksuar se politika e braktisjes së zonave rurale ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Më tej, Berisha ka atakuar kryesocialistin Edi Rama që drejton edhe bashkinë e Tiranës.

Pasi përmendi një sërë arritjesh e projektesh për të ardhmen, Berisha tha se "alternativa jonë nuk bazohet në fjalë por në vepra dhe fakte, të cilat prekin jetën e fëmijëve tuaj, buxhetin e familjeve tuaja, përmirësojnë jetën tuaj në fshat dhe kudo që jeni".

Këtu ai bëri një krahasim: "Ka një alternativë tjetër paralel me këtë; alternativa e fjalëve, mashtrimeve, gënjeshtrave, alternativë e cila përpiqet të nxijë gjithçka. Ne rrisim rrogat dhe pensionet, ata bërtasin varfëri, varfëri, ata përhapin lajme se ne nuk do të anëtarësohemi, organizojnë mitingje për të protestuar".

a.k/NOAÂ

KOMENTE