Durrës, 9 maj, NOA - Forcat e policisë kanë arritur të kapin dy personat e shumëkërkuar, të cilët njihen si autorët e ngjarjes së rëndë të 21 prillit, kur në Shkozet pas konfliktit me armë ndërmjet familjeve Meta e Kalemi, u plagosen 5 peraona, 3 prej të cilëve po udhëtonin në autobuzin e linjss Durrës-Fshat Rinia.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, personat e arrestuar janë 22-vjeçari Leonard Kalemi dhe vëllai i tij 18-vjeçar, Romeo Kalemi, që të dy banues në Shkozet.
Nga kryerja e veprimeve në vendngjarje, si dhe nga hetimet e deklarimet e bëra nga dëshmitarët, rezulton se 22-vjeçari Kalemi është autor i plagosjes së rëndë Bashkim Zhupës, i cili më pas ndërrroi jetë në spitalin e Durrësit.
Ndërkaq, Drejtoria e Policisë së Qarkut menjëherë pas zbardhjes së ngjarjes dhe arrestimit të dy prej bashkëpunëtorëve të tjerë, kanë punuar intensivisht në lidhje me marrjen e informacioneve, saktësimin e tyre në lidhje me vendodhjen e të dy autorëve.
Për këtë qëllim, u hartua një plan-operacional, i cili u finalizua në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Tiranës, me kapjen e personave të kërkuar.
Të dy vëllezërit, gjatë kësaj periudhe nga momenti i ndodhjes së ngjarjes, dhe deri në momentin e kapjes së tyre, ishin strehuar në Allias te Bregu i Lumit në një shtëpi të vjetër, të cilën e kishin marrë me qera.
Me kapjen e tyre përfundon edhe puna nga ana e policisë mbi ngjarjen e datës 21 prill për ta lënë në dorë të drejtësisë.
Vepra penale në ngarkim të të dy shtetasve është "Vrasje e mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim" si edhe ajo e "Armëmbajtjes pa leje".
n.e/NOA