English

Kongresmeni Engel: NATO, rrjedhojë e reformave dhe lidershipit shqiptar

Tiranë, 9 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha priti pasditen e sotme kongresmenin Eliot Engel, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Kryetar i Nënkomitetit për Evropën.

Engëll shoqërohej me disa bashkëpunëtor të tij dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë.

Kongresmeni shprehu kënaqësi të takohej me Kryeministrin Berisha, i cili siç tha, me përkushtimin, angazhimin dhe reformat e jashtëzakonshme dhe të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, udhëhoqi Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO.

"Në qoftë se dikush do të më kishte thënë në vitin 2004 që Shqipëria do të hynte në NATO në pesëvjeçarin e ardhshëm, unë nuk do ta kisha besuar kurrë, por tashmë falë reformave që ju ndërmorët dhe lidershipit tuaj, kjo është realitet", u shpreh z. Engel.

Kurse kryeministri Berisha i paraqiti kongresmenit Engel, një ekspoze të të gjitha reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për sa i përket luftës me zero tolerancë kundër korrupsionit, reformave për zhvillimin ekonomik të vendit, reformave fiskale e derregullatore, për krijimin e klimës më të favorshme për biznese dhe investime e të tjera.

Berisha e siguroi z. Engel, se qeveria shqiptare është tërësisht e përkushtuar për të realizuar zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje të plotë më të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

"Për këtë qëllim qeveria ka ndërtuar infrastrukturën më të mirë zgjedhore dhe po pajis qytetarët shqiptar me dokumente identifikimi nga me të sigurtat në Evropë", - deklaroi Berisha.

Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet me të fundit në rajon duke u ndal ne veçanti në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

"Pavarësia e Kosovës është faktor vendimtar për paqe e siguri të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor", u shpreh Kryeministri.

e.l/NOA

KOMENTE