English

Panairi, kosovarët premtojnë se pushimet verore, do t'i kalojnë në Shqipëri

Arsen Koza

Prishtinë, 9 maj NOA - Qytetarët kosovarë kanë premtuar dhe theksuar se pushimet e tyre verore, do ti kalojnë në shumicën dërrmuese në bregdetin shqiptar.

Ky është mendimi dhe perceptimi pas vizitës që Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë Ardian Turku zhvilloi në Kosovë, me ftesë të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Lutfi Sharku, për të qenë i pranishëm në panairin e Turizmit, që u zhvilluar për 3 ditë në Prishtinë.

Ceremonia për hapjen e këtij panairi ka qenë ndalesa e parë e Ministrit Turku, panair në të cilin Shqipëria kishte vendin kryesor me anë të prezantimit me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, por edhe të njësive të ndryshme vendore, të cilat merrnin pjesë me guida të ndryshme në prezantimin e destinacioneve të tyre turistike.

Me një skenografi ku viheshin re kolonat e larta dhe amfiteatri i Butrintit, dhe guidat apo pamjet nga bregdeti, stenda e Shqipërisë, kërkonte të tregonte diversitetin e destinacioneve turistike të Shqipërisë, ku turistët e huaj që e vizitojnë atë mund të zgjedhin bregdetin e mrekullueshëm, apo të zbulojnë historinë e lashtë, por edhe të vizitojnë pikat turistike malore mes pyjeve e ajrit të pastër.

Një pritje zyrtare për Ministrin Turku ishte rezervuar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Valton Beqiri.

Një pritje e ngrohtë e cila vinte vetëm pak ditë pas vizitës së Ministrit Kosovar në Tiranë. Bashkëpunimi i gjerë dhe më intensive, mes dy ministrive ka qenë në qendër të këtij takimi, ku aspektet konkrete të këtij bashkëpunimi kanë qenë në qendër të diskutimeve. Shumë shpejt dy vendet pritet të nënshkruajnë marrëveshjen e përbashkët të bashkëpunimit, e cila do të institucionalizojë edhe më tej bashkëveprimin në fusha konkrete të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Por aktiviteti i parë konkret mes dy ministrive është rënë dakord që të zhvillohet pothuajse pas një muaji, me rastin e përurimit të autostradës Durrës-Morinë, që nga të dy Ministrat është vlerësuar si rruga që do të bashkojë të dy vendet.

Të rinj nga Shqipëria dhe Kosova do të jenë pjesë e këtij aktiviteti të madh, ku me krijimet e tyre në fushën e artit pamor, ata do të shprehin idetë dhe mendimet për këtë rrugë.

Me dhjetëra të rinj kosovarë dhe shqiptarë, do të qëndrojnë së bashku për orë të tëra, për të biseduar e festuar më njëri tjetrin, për t'u njohur nga afër me jetën e njëri-tjetrit, si qytetarë të lirë të dy shteteve por që i përkasin të njëjtit komb.

a.k/NOA

KOMENTE