English

Presidenti Sejdiu mban një ligjëratë në Universitetin e Izmirit

Izmir (Turqi) 9 Maj/NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në vazhdim të vizitës së tij në Turqi, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme takime me zyrtarë të qytetit të Izmirit.

Ai po ashtu, është me profesorë e studentë të universitetit në këtë qytet, ku edhe ka mbajtur një ligjëratë, me shoqata të qytetarëve me prejardhje nga Kosova e të tjerë, informon për agjencinë e lajmeve NOA, zëdhënësi i Presidentit.

Sejdiu është pritur në takim nga Aziz Kocaoglu, kryetar i Komunës së Madhe të Izmirit dhe në të, kanë marrë pjesë edhe kryetari i kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, Dr. Isa Mustafa, si dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Turqi, Bekim Sejdiu.

Tema kryesore e takimit ishte bashkëpunimi i Komunës së Izmirit me qytetet e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë me Prishtinën.

Presidenti vizitoi dhe komunën Konak, ku u prit nga kryetari i saj, Dr. Hakan Tartan. Në takim, z.Tartan vuri theksin në mundësitë e bashkëpunimit, sidomos në fushën e arsimit.

Më konkretisht, ai i premtoi Presidentit Sejdiu gatishmërinë e kësaj komune për shkëmbime ndëruniversitare, me theks të posaçëm në fushën e arteve.

Po sot, Presidenti Sejdiu ka mbajtur një ligjëratë me temën "E djeshmja dhe e sotmja e Kosovës", në Universitetin "Nëntë Shtatori" të Izmirit, në të cilin studiojnë një numër i madh i studentëve nga Republika e Kosovës.

Përveç profesorëve dhe studentëve të këtij universiteti, ligjërata u ndoq edhe nga përfaqësues të shumtë të pushtetit lokal, si dhe zgjoi një interesim shumë të madh të mediave.

Presidenti ka dhënë një varg intervistash për shumë media prestigjioze turke, përfshirë këtu televizionin kombëtar TRT, pastaj televizionin shumë të fuqishëm TV 35, e të tjerë.

Sakaq, z.Sejdiu ka vizituar edhe komunën Alaçati, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Mukitim Dalgiç

Gjithashtu, gjatë vizitës në qytetin e Izmirit, Presidenti Sejdiu është takuar edhe me përfaqësues të shoqatave të qytetarëve shqiptarë me prejardhje nga Kosova.

a.b/NOA

KOMENTE