English

Pse nuk ka shqiptarë në parajsë?

Nga Albin Kurti* - Për të qenë sa më të dobët shqiptarët në Maqedoni, ata po i izolojnë nga Shqipëria dhe Kosova. Organizatat shqiptare nuk po i lejojnë të bashkëpunojnë dhe këtë gjë po e bënin inspektorët duke më mbajtur nën arrest.

Fakti që nuk ma thanë arsyen pse më arrestuan, nuk do të thotë se askush nuk mund ta gjejë pse. Fakti që ata mendojnë se e dinë arsyen pse më arrestuan nuk do të thotë se ishte vërtet ajo arsyeja.

Secilin polic apo inspektor që e pyesja përse më arrestuan, më thoshte se unë e dija këtë gjë më mirë se vetë ata. Ata që më ndaluan, ata që më bastisën, ata që më arrestuan dhe ata që më morën në pyetje, që të gjithë, vepronin sipas urdhrave. Në atë çfarë ndodhi të martën mbrëma, thjesht kishte tepri koordinimi. E megjithatë, nuk ishte gjithçka e zakonshme dhe rutinore. Policët kufitarë u habitën se si tre inspektorët nuk ua tregonin emrat as atyre sikurse që nuk m'i tregonin mua. Zinxhiri ishte aty, por me ca hallka që duhej të mbeteshin të padukshme. Situatë ku pushteti është më i madh se shteti: segmente të caktuara parashtetërore janë në funksion të pushtetit. Nuk kam kurrfarë dëshmie se ishin inspektorë apo se ishin të Maqedonisë. Serbishtja e njërit prej tyre, ishte e përsosur. Ata nuk më kidnapuan mua që isha i arrestuar, por disi e kidnapuan rastin prej policëve. Pas qëndrimit dyorësh në një zyrë që më shumë i ngjante kabinës telefonike, më çuan në një tjetër zyre. I ulën perdet që të mos më shihte kush nga jashtë dhe e kyçën derën me çelës. I reklamonin revolet që i mbanin në brez dhe njëri prej tyre nganjëherë qëndronte prapa karriges ku isha i ulur gjersa tjetri para meje fliste. Më thoshin se si jam i ri dhe po e çoj jetën dëm me ideale e utopi të cilave eventualisht të tjerët (sidomos ata që më shajnë) do t'ua shohin hajrin e jo unë vetë. Shpalosnin detaje të biografisë sime që gjithsesi dihen, për të më bindur në zotësinë dhe profesionalizmin e tyre. Dukeshin se janë të shkollës së vjetër jugosllave: fillimisht u munduan të më edukojnë dhe indoktrinojnë. Titoja na paska qenë i mençur, Milosheviçi paska gabuar kurse Maqedonia sot na qenka shteti më demokratik dhe më i drejtë në Evropë. Nga tri orë sa zgjati marrja në pyetje, më shumë se dy orë ishin pyetjet e tyre që vinin në fund të episodave të ligjëratave. Kur nuk ua tregova emrat e aktivistëve kryesorë të Vetëvendosjes, sepse ata janë publikë, kur nuk ua thashë adresën ku banoj, sepse ajo s'është sekrete, kur u thosha se nuk i njoh ata njerëz për emrat e të cilëve s'kisha dëgjuar kurrë në jetë, nisën të bërtasin dhe arritën te porosia kërcënuese: Mos eja më në Maqedoni, s'ke se çfarë kërkon këtu, shqiptarët janë të kënaqur dhe i gëzojnë të gjitha të drejtat etj. Rrëfenin se si edhe ata vetë kanë miq shqiptarë me të cilët e kalojnë shumë mirë dhe unë s'kisha pse shqetësohesha për ta. U bënë se nuk dëgjuan kur u thashë që edhe Sinan Hasani e Ali Shukriu ishin shqiptarë dhe se shqetësimi im është për shqiptarët në Maqedoni, të cilët nuk ishin miq të këtyre inspektorëve. Por kur nisa të flas me statistika të diskriminimit dhe nënpërfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoni dhe për atë se si e vërteta nuk mund të ndërtohet prej rasteve të miqve të tyre shqiptarë që janë shembuj anekdotikë, nisën t'i përplasnin pëllëmbët e grushtat e tyre sipër tavolinës. Pasonte qetësia në të cilën dëgjohej vetëm një fjalë që ia thonin vetes ose ndonjë dëgjuesi që s'ishte aty. Duke u larguar nga unë e duke tundur kokën psherëtinin: ‘samoopredeljenje'. Kushedi, thashë me vete, ndoshta jam unë ai që nuk po e di peshën e kësaj fjale. Apo, ndoshta, koha po ia shton rëndësinë asaj. Urrejtja që kishin ndaj shqiptarëve ishte evidente. Urrejtje raciste. "A e din pse nuk ka shqiptarë në parajsë?", më pyeti ai që s'rrinte dot ulur në një vend. Dhe, shpejt u përgjigj vetë: "Sepse në parajsë s'ka probleme." Folën shkurtimisht me dikë në telefon, e panë orën që kishte kaluar 23:00. Të sigurt që aktiviteti me rastin e 3-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Qytetare Zgjohu, atje për ku isha nisur, tashmë kishte përfunduar. Greqia nuk ua njeh emrin, Bullgaria kombin, kurse Serbia kishën. Vetëm ne shqiptarët ia njohim dhe ia pranojmë të gjitha Maqedonisë, e ajo më së keqi sillet pikërisht me neve. Mbase për shkak se vetëm shqiptarët mund ta kontestojnë Maqedoninë nga brenda. Por ama kjo s'po ndodh. Kurse të tjerët mund ta kontestojnë nga jashtë dhe kjo vazhdimisht ngjan. Për të qenë sa më të dobët shqiptarët në Maqedoni, ata po i izolojnë nga Shqipëria dhe Kosova. Organizatat shqiptare nuk po i lejojnë të bashkëpunojnë. Mu këtë po e bënin inspektorët duke më mbajtur nën arrest. Maqedonia është një shtet aq i brishtë. Dhe, mbase, pikërisht për këtë arsye aq i rrezikshëm. Maqedonia është sikurse ai frikacaku që nga frika e shkrep armën e të vret pa arsye. Gjersa po vazhdoja rrugën për në Shkup dhe në telefon ua sqaroja situatën gazetarëve të ndryshëm, m'u kujtua Hashim Thaçi dhe vizita e tij e fshehtë në Maqedoni javë më parë. Përderisa ai zhvillon takime sekrete në Maqedoni dhe e shqetësojnë mediat kur informojnë, mua më arreston shërbimi sekret i Maqedonisë dhe më ndihmojnë aq shumë mediat kur informojnë…

INA

Â

* Kreu i Lëvizjes "Vetëvendosje"Â Â

Â

Shënim i NOA-s: Shkrimet e rubrikës "Opinion" nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimin e agjencisë NOA.

Â

KOMENTE