English

Rama, në autobus me beratasit: Jetojmë dhe paguajmë, një lojë 18-vjeçare

Berat, 9 maj NOA - "Përballemi një lojë që ka 18 vjet që e luajnë ata dhe që e paguani ju. Është dita që kjo lojë të mbarojë, sepse këtu luhet me fatin e të rejave dhe të rinjve e këtij vendi".

Këtë pohim bëri sot, Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, i cili paraditen e sotme, nga Uznova në Berat ka preferuar të udhëtojë me qytetarët në autobusin e linjës.

Rama tha se Shqipëria nuk mund të jetë njerkë për disa dhe nënë për disa të tjerë. "Shqipërinë, nënë të gjithë fëmijëve të këtij vendi mund ta ndërtojmë vetëm së bashku, duke i lënë politikanët e vjetër të së shkuarës, në kutinë e televizorit dhe duke e sjellë qeverinë këtu, midis jush, siç kemi ardhur sot, për t'ju thënë se çdo bëjmë nesër, do të vijmë edhe nesër për ta bërë së bashku atë që sot ju themi se do ta bëjmë", - tha Edi Rama.

Më tej, me qytetarët në autobusin e linjës, kryesocialisti është përballur me shqetësimet e qytetarëve.

"Unë shes banane pranë një agjencie, - pohonte një banor i zonës, - Një herë marr vaj, një herë makaronat, një herë sheqer, një herë oriz. Arrita edhe kripë nuk kisha në shtëpi me këtë qeveri që jemi sot".

Edhe në autobusin e linjës Uznovë-Berat, në një komunikim miqësor me ata që udhëtonin në këtë linjë Rama ka bërë apel për të pasur sa më shumë pjesëmarrje në votim.

"Unë e di që ju keni vështirësi të mëdha, por të gjithë duhet të shkojnë të marrin kartën dhe të japin votën për ndryshimin në jetën e familjes së tyre, për ndryshimin në shkollën e fëmijës së tyre, për ndryshimin në listën e ilaçeve të të moshuarve të tyre dhe për ndryshimin që prej kaq shumë vitesh e prisni të sjelljes së politikës ndaj jush", - tha Rama.

Në qytetin e Beratit, Kryetari i Partisë Socialiste ka vazhduar takime spontane me qytetarë ku u ka kërkuar atyre të aplikojnë për kartat e identitetit.

Duke shkuar dyqane apo duke i takuar njerëzit në rrugë e lulishte Rama u ka kërkuar atyre të aplikojnë, të paguajnë taksën e votës e cila u reduktua vërtetë në 200 lekë, por që siguroi Rama, pas 28 qershorit, kjo taksë do të rimbursohet nga socialistët në qeverisje. "Aplikoni për të marrë kartën e identitetit", - tha Rama, gjatë këtyre takimeve derë më derë në Berat pasi vetëm kështu do të kemi mundësinë për të nxjerrë në pension këtë politikë të vjetër që varfëron.

e.l/NOA

KOMENTE