Vlorë, 9 maj NOA - Rektori i Universitetit të Vlorës "Ismail Qemali", përshëndeti mbrëmjen e së Shtunës, nismën e Edi Ramës për mbështetje ndaj një ideje të institucionit arsimor.
"Unë dua të përshëndes kryetarin e PS Edi Rama i cili publikisht mbështeti idenë tonë për kampusin universitar", - tha z.Shaska përmes një deklarate për media.
"Ne i detyrohemi të gjithë nga pak Vlorës dhe Shqipërisë, për të hedhur themelet e një institucioni i cili do t'u rezistojë kohërave", tha dr. Shaska.
Ai shtoi se një universitet i standardeve evropiane në Vlorë i sjell të mirë jo vetëm Vlorës por gjithë Shqipërisë.
Kurse pohoi se kampusi është hapi i nevojshëm drejt këtij standardi: "Familja jonë ka kaluar nga 25 000, nga të cilët mbi 1 000 janë të huaj të cilët kanë ardhur, do të vijnë në Vlore ose kanë lidhje me UV", - tha Shaska.
Rektori i UV sqaroi se marrja e tokës në Akërni për kampusin është vetëm fillimi. "Realizimi i një projekti të tillë do të jetë një nga ëndrrat më të bukura për të gjithë ata që qoftë edhe vetëm një herë kane kaluar portat e një universiteti".
Këtu Shaska shprehu shpresën se "me ndihmën e politikanëve, deputetëve të Vlorës, intelektualëve dhe gjithë vlonjatëve kudo që janë, ketë ëndërr do ta bëjmë realitet". Sipas rektorit, ndikimi i Universitetit në imazhin e Vlorës në botë, ka filluar të ndihet dhe "ne do të bëjmë ç'është e mundur të ndihet edhe më shumë".
Për Shaskën, universiteti mund të bëjë shumë për Vlorën dhe turizmin në këtë qytet. e.l/NOA