Shkup, 9 maj NOA - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hoop Scheffer ka qëndruar për një vizitë lamtumire në Maqedoni në prag të lënies së detyrës.
Temë qendrore në takimet me autoritetet më të larta të shtetit maqedonas, ishte çështja e pazgjidhur e konfliktit mbi emrin mes Shkupit dhe Athinës.
"NATO nuk ka pozicion të tillë që të mund të ndërhyjë në zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë", - ka pohuar sekretari i përgjithshëm i NATO-së në largim, Jap De Hoop Scheffer.
Kurse pohoi: "Unë jam një nga ata që dëshiroj ta shoh zgjidhjen e kësaj çështje sa më shpejt pasi integrimi euroatlantik për këtë rajon është receta e vetme për siguri dhe stabilitet afatgjatë".
"Nuk është punë e imja të bëj presion ndaj Greqisë. Përfundimi i çështjes së pranimit të Maqedonisë në NATO është se nuk kishte konsensus, ndërsa NATO punon me parimin e konsensusit", - ka pranuar Jap de Hoop Scheffer.
Ai theksoi se është i kënaqur që në mandatin e tij Aleanca është zgjeruar me nëntë anëtare të reja, me shpresë se së shpejti Maqedonia do të jetë e 10-ta, ndërsa me atë Aleanca do të numërojë 29 vende.
Ndërkaq, Kryeministri i FYROM-it (Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë), Nikolla Gruevski tha se pavarësisht mosanëtarësimit ende, ky vend mbetet partner i NATO-s.
Kurse premtoi se do të vazhdojnë reformat: "Ne i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e nevojshme që u kërkuan nga NATO për anëtarësim, por edhe pse ftesa u anulua, ne edhe më tej do të vazhdojmë me reformat", ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski.
"Ne po vazhdojmë me reformat edhe për shkak të NATO-s, por sikur edhe të mos jetë Aleanca ne duhet të vazhdojmë për shkak të zhvillimit të vendit. Reformat nuk janë proces i shkurtër, ato janë diçka që vazhdimisht ndodhë, që vazhdimisht duhet ta çojnë vendin përpara", theksoi Gruevski.
***
Në një ceremoni të organizuar nga Këshilli Euroatlantik i FYROM, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në largim Scheffer iu shpreh mirënjohje për mbështetjen dhe partneritetin shumëvjeçar.
Shefer u falënderua për "bashkëpunimin e Maqedonisë me NATO-n dhe për pjesëmarrjen e Maqedonisë në misionin ISAF në Afganistan".
Jaap de Hop Shefer ishte sekretar i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike nga viti 2004. Nga 1 gushti pozitën e njeriut të parë të NATO-s do ta trashëgojë ish-kryeministri danez Andres Fog Rasmusen.
a.k/NOA