Shkup, 9 maj, NOA - "Kontesti i emrit mbetet pengesa kryesore për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Shefer pas takimeve të fundit në Shkup me presidentin e Maqedonisë në largim Branko Cërvenkovski dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski.
"Për fat të keq NATO dhe unë si sekretar i Përgjithshëm për këtë çështje nuk luajmë kurrfarë roli, pasi që procesi për zgjidhjen e tij udhëhiqet nën patronazhin e KB-së.
Duam ta shohim zgjidhjen sa më shpejtë që është e mundur për shkak se integrimet euroatlantike janë receta e vetme për këtë rajon, për stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë", tha Sheferi. E përsëriti qëndrimin parimor të Aleancës se dyert e saj mbeten të hapura për pranimin e anëtareve të reja.
Shefer, i cili së shpejti do ta lëshojë funksionin sekretar i përgjithshëm i NATO-s, theksoi se është i kënaqur që në mandatin e tij Aleanca është zgjeruar me nëntë anëtare të reja, me shpresë se së shpejti Maqedonia do të jetë e 10-ta, ndërsa me atë Aleanca do të numërojë 29 vende.
Shefer u falenderua për bashkëpunimin e Maqedonisë me NATO-n dhe për pjesëmarrjen e Maqedonisë në misionin ISAF në Afganistan.
Kryeministri Gruevski theksoi se Maqedonia që në prill të vitit të kaluar i ka plotësuar kushtet për pranim në NATO, por se nga shkaqe mirë të njohura ajo nuk ndodhi.
Edhe përkrah kësaj antarësimi në NATO dhe BE, sipas tij, mbetet prioritet i lartë i vendit.
"Ne po vazhdojmë me reformat edhe për shkak tëNATO-s, por sikur edhe të mos jetë Aleanca ne duhet të vazhdojmë për shkak të zhvillimit të vendit. Reformat nuk janë proces i shkurtër, ato janë diçka që vazhdimisht ndodhë, që vazhdimisht duhet ta çojnë vendin përpara", tha Gruevski.
Maqedonia, theksoi shefi i Qeverisë së Maqedonisë, mbetet partner i NATO-s dhe pret bashkëpunimi i mirë të vazhdojë edhe me sekretarin e ri të përgjithshëm Anders Fog Rasmusen.
Paraprakisht edhe presidenti Cërvenkovski pas takimit me Sheferin theksoi se edhe përkrah dëshpërimeve nga Samiti i Bukureshtit, integrimi në NATO mbetet përcaktim strategjik i Maqedonisë.
"Jemi të përgatitur që në periudhën e ardhshme t'i zbatojmë të gjitha standardet për anëtarësim fuqiplotë, të realizojmë bashkëpunim të suksesshmëm me Aleancën në nivel të lartë, me fjalë tjera Maqedonia do të sillet si të jetë anëtare e barabartë e NATO-s", tha Cërvenkovski.
Jaap de Hop Shefer ishte sekretar i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike nga viti 2004. Nga 1 gushti pozitën e njeriut të parë të NATO-s do ta trashëgojë ish-kryeministri danez Andres Fog Rasmusen.
NOA-INA