Nga Rajmonda Lajthia
Biznesi eksportues po ngre së fundi, gjithnjë e më shumë shqetësimin se nëse qeveria nuk merr masa afatgjata për të mbajtur në këmbë këtë sektorë, brenda pak viteve ai do të falimentojë.
Arsyeja kryesore është humbja graduale e krahut të lirë të punës dhe rënia e interesit të të huajve për të lidhur kontrata me prodhuesit vendas.
Një nga biznesmenët eksportues Alban Zusi thotë se rritja e pagave dhe aspirimi për në bashkimin evropian do të rrisë edhe krahun e punës, ndaj kërkohet një vëmendje edhe më e madhe në hartimin e politikave afatgjata.
Sipas tij një gjë është e sigurt se nëse kjo kategori biznesi do të vijojë aktivitetin me të njëjtat kushte, brenda pak viteve ai do të falimentojë.
Të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Artur Papajani. Ai shpjegon së është emergjente që qeveria të kthejë vëmendjen nga sektori I eksporteve, nga i cili përfitohet valutë.
"Cilado forcë politike që është në pushtet duhet të angazhohet maksimalisht që të mbështesë eksportet me lehtësira fiskale. Është i vetmi sektor që na ofron valutë dhe na sjell punësim"- shprehet Papajani.
Shqipëria u prek nga kriza ekonomike pikërisht në eksportet të cilat ranë gjatë 3 muajve të parë të këtij viti.
Por kriza botërore ekonomike solli ndikimin e saj konkret edhe në kursin e këmbimit, ku mungesa e euros në treg solli një rritje të monedhës evropiane në kufijtë e 130 lekëve, situatë kjo aspak e favorshme për vendin.
r.l/NOA